E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore AK proteste kunder Berishes

Aktivistët e Aleancës Kuqezi protestuan të martën në Vlorë kundër mbajtjes së mbledhjes së qeverisë në shtëpinë-muze ku Ismail Qemali mblodhi kabinetin e parë të tij.

Aktivistët e Aleancës nuk u lejuan nga policia t’i afroheshin godinës dhe për rrjedhojë ata u ulën rreth 100 metra larg saj, në shenjë proteste.

Aleanca Kuqezi e akuzon kryeministrin Berisha se ka shitur interesat e vendit tek qeveria greke, ndaj dhe ai nuk mund të mbledhë qeverinë në dhomën ku e mblodhi Ismalil Qemali.

“Ne i themi shtetasit Sali Berisha, që kryeson qeverinë, para se të hapë atë derë të shënjtë të asaj ode shqiptare, para se të ulet në atë plotron dhe ndenjëse që frymëzon historinë, t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve, për këndej në shtetin amë dhe për andej në Kosovën e mëvetme, shqiptarëve në Iliridën e Maqedonisë perëndimore, në Mal të Zi dhe në Luginë e Preshevës”, deklaroi AK një ditë më parë.

Grupimi politik kërkoi që kreu i qeverisë të kërkonte falje për “veprën antikombëtare” të kryer tre vjet më parë, kur ministrja e Jashtme e Greqisë dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë firmosën dhe prenë hapësirat detare të vendit për t’ia dhënë fqinjit jugor, ashtu siç u pre tragjikisht kufiri i Shqipërisë etnike më 1913-ën.

“Një akt i tillë do ta çlironte atë nga brerja e ndërgjegjes, nëse ka. Sepse ndryshe ai do ta përdhosë këtë tempull të shënjtë të shqiptarëve, kur ministra të kabinetit të tij do të ulen atje ku u ulën ikonat e shqiptarizmës. Ju, shtetasi Sali Berisha, nuk mund të bëni dot katarsis sepse jeni të rënduar edhe nga shumë vepra të tjera antikombëtare, të cilat në mos sot, po nesër domosdo, do të dalin në shesh e do t’u bëhet drejtësia e merituar”, tha më tej Aleanca ditën e hënë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›