E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë/ Aksident fatal në Vranisht, humb jetën këmbësorja 80-vjeçare

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e mbrëmjes në aksin rrugor Vranisht–Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, në qendër të fshatit Vranisht, ku një automjet ka përplasur një të moshuar që lëvizte në këmbë.

Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, mjeti drejtohej nga një banor i zonës, i cili ka aksidentuar 80-vjeçaren me inicialet Th. Sh. Lidhur me rrethanat e përplasjes dhe pasojat e saj, Policia njofton zyrtarisht:

“Automjeti me drejtues shtetasin A. Ll., rreth 59 vjeç, banues në Vranisht, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen Th. Sh., rreth 80 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, këmbësorja ka humbur jetën në vendngjarje.”

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendin e aksidentit për të menaxhuar situatën dhe për të nisur veprimet e para hetimore. Drejtuesi i mjetit nuk është larguar nga vendngjarja dhe është marrë nën mbikëqyrje nga uniformat blu.

Për sa i përket procedurave të ndjekura ndaj 59-vjeçarit, autoritetet sqarojnë se “drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.”

Aktualisht, po punohet për zbardhjen e shkaqeve dhe dinamikës së saktë që çuan në këtë përplasje fatale.

“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.”, njofton policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›