Vlorë/ Asgjësohen rreth 5 mijë bimë kanabis, 3 të arrestuar dhe 3 punonjës policie nën hetim

Rreth 5 mijë bimë narkotike të kultivuara në një parcelë me misër në fshatin Bishan janë asgjësuar.
Policia e Vlorës ka arrestuar 3 persona të cilët kultivonin lëndën narkotike dhe më pas e përgatisnin për shitje, si dhe janë vënë nën hetim kryeplaku i fshatit dhe 3 punonjës policie pasi shpërdoruan detyrën duke mos përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë për kontrollin e zonës.
Policia ka sekuestruar 198 kilogramë kanabis në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, që u gjetën gjatë kontrollit të magazinës.
“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:
– S. Ll., 40 vjeç dhe D. Ll., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bishan.
– D. M., 69 vjeç, banues në fshatin Bishan.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:
-B. H., 61 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Bishan.
Si dhe për 3 punonjës policie, të cilët edhe janë pezulluar nga detyra, konkretisht:
– Nënkomisar K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Nënkomisar F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor M. A., me detyrë ndihmësspecialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Vlorë”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/