E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vlorë/ Sekuestrohen mbi 31 mijë euro të padeklaruara, gjenden të ndara në pako në një autobus

Mbi 31 mijë euro të padeklaruara janë sekuestruar në Vlorë. Mësohet se këto para janë gjetur të ndara në katër pako me letër celefoni në autobusin e një agjencie udhëtimi.

Si pasojë, dy drejtuesit e autobusit po procedohen penalisht.

Njoftimi i Policisë:

Sekuestrohen 31 805 euro të padeklaruara. Procedohen penalisht 2 shtetas, drejtues të automjetit ku u gjetën 4 pakot me euro.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi. Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›