Vodhën 9 mijë euro në një zyrë avokatie, shpallen në kërkim tre persona

Policia ka shpallur në kërkim tre persona pasi akuzohen se kanë vjedhur 9 mijë euro në një zyrë avokatie në kryeqytet.
Policia ka identifikuar autorët ndërsa ka sekuestruar edhe 30 mijë euro, një automjet, veshje dhe mjete (kaçavida, dalta) që autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë vjedhjes.
“...u shpallën në kërkim shtetasit: – E. (F). L., 40 vjeç, A. Rr., 51 vjeç, dhe E. Rr. (N)., 42 vjeçe, të tre banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, më datë 28.08.2023, kanë vjedhur 9000 euro, në kasafortën e një zyre avokatie. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Rr., shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 30 mijë euro të dyshuara të vjedhura, një automjet, veshje dhe mjete (kaçavida, dalta) që autorët i kanë përdorur gjatë vjedhjes. Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/