Vodhi një automjet në Lezhë, policia kap 38-vjeçarin brenda pak minutash

Një reagim i shpejtë i shërbimeve të Policisë së Lezhës bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vjedhjes së një automjeti, vetëm pak minuta pas kryerjes së ngjarjes.
Rreth orës 11:00, shërbimet e Policisë u njoftuan se në lagjen “Nënë Tereza” ishte vjedhur një automjet. Forca “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, organizuan menjëherë punën për kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u identifikua dhe u arrestua shtetasi L. L., 38 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi automjetin e vjedhur, si dhe një celular i cili dyshohet se ishte vjedhur më parë në Rinas.
Policia njoftoi se po vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/