Vodhi një farmaci gjatë natës, arrestohet 44-vjeçari me precedent penal në Durrës

Një 44-vjeçar është arrestuar, pasi akuzohet se ka vjedhur gjatë natës një farmaci në lagjen nr. 12 në Durrës.
44-vjeçari u kap pasi u pikas duke dalë me vrap nga farmacia nga patrulla që po kalonte në zonë. Menjëherë është bërë ndalimi i tij dhe gjatë kontrollit iu gjet një çantë me produkte, të cilat rezultoi se ishin vjedhur në farmaci.
Në pranga përfundoi I. D., 44 vjeç, banues në Durrës, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Policia sekuestroi produktet e vjedhura, si dhe mjete që dyshohet se përdoreshin nga 44-vjeçari për kryerjen e vjedhjeve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme vjedhjesh që mund të jenë kryer nga i arrestuari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/