E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta kundër kultivimit të kanabisit në Fier, po shfrytëzohen objekte të braktisura, si bunkere apo tunele ushtarake

Në bilancin njëvjeçar të policisë së qarkut Fier në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike janë kryer 26 mijë e 752 kontrolle në terren, 28 persona të arrestuar në flagrancë dhe mbi 6 mijë bimë kanabis sativa të asgjësuara.

Të dhënat u bënë publike në takimin e përvitshëm të thirrur nga Prefekti i Qarkut, ku sipas policisë, ndonëse është shënuar rënie e kultivimit, është konstatuar zgjerimi i zonave me risk. Përveç brigjeve të lumenjve dhe zonave të pyllëzuara, po përdoren edhe objekte të braktisura si ish-reparte ushtarake, bunkerë dhe tunele.

Në takim u theksua se, krahas masave goditëse, mbetet thelbësor ndërgjegjësimi i komunitetit. Prefekti I qarkut foli për pamjaftueshmërinë e fushatave informuese mbi pasojat ligjore dhe sociale të kësaj veprimtarie.

“Problematikat kryesore në fushën e ndërgjegjësimit është pamjaftueshmëria e fushatave për dëmet dhe pasojat e lëndëve narkotike, mos ofrimi i mundësive në platformat ekzistues të raportimit për qytetarët që duan të denoncojnë”, tha prefekti i qarkut, Anduel Xhindi.

Nga krahasimi me një vit më parë, rezulton se janë kryer 1 mijë e 84 kontrolle më shumë në terren, duke shfrytëzuar metoda speciale si dronë dhe kamerat termike.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›