Vodhi sende me vlerë, vihet në pranga 31-vjeçari. I gjendet edhe drogë në shtëpi

Një 31-vjeçar është vendosur në pranga pasi vodhi sende me vlerë në një banesë në Tiranë. Gjithashtu, policia ka sekuestruar sende me vlerë si aksesorë floriri, të cilat pas vjedhjes, i kishte shitur në një argjendari.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të paligjshmërisë, pas kallëzimit të depozituar nga një 33-vjeçare, se në datën 11.09.2023, një shtetas kishte vjedhur sende me vlerë, në banesën e saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rings”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së autorit të dyshuar, shërbimet e Policisë, “gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike narkotike kanabis dhe kokainë, dy peshore elektrike, qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e lëndëve narkotike në doza, një grirëse për lëndë narkotike, tre maska, si dhe katër shkopinj bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me aksesorët e vjedhur”
I riu akuzohet për veprat penale “Vjedhja”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
/rtsh.al/