Volejboll: “Liria” vs 'Shutova' 0-3

Tetovë- Ndeshja derbi e dy klubeve shqiptare të volejbollit "Liria" nga Zherovjani dhe "Shutova" nga Kërcova ka përfunduar me rezultatin 0:3 për udhëtuesit. Kërcovarët qysh në setin e parë kanë dominuar në fushën e lojës, ndonëse nuk ka munguar rezistenca e volejbollistëve të Lirisë për të nxjerrë ndonjë rezultat të favorshëm. Në fund seti i parë u mbyll me rezultatin 14:25. Seti i dytë ka qenë shumë më
interesant pasi vendasit të përkrahur nga rreth 100 tifozë arritën që në disa momente të ngushtojnë rezultatin, por nuk arritën të qëndrojnë dhe humbën me rezultat 21:25. Në setin e tretë kërcovarët të udhëhequr nga volejbollisti i tyre më i mirë, Pëllumb Vela ia dolën që me shpejtësi ta fitojnë edhe pjesën e fundit të takimit me 11:25. Vlen të thuhet se KV "Liria" në këtë takim për shkak të suspendimit (ka tërhequr ekipin nga parketi në ndeshjen e kupës me "11 Oktomvri") i ka munguar trajneri Hakik Ferati.
Pas këtij takimi zëvendëstrajneri i Lirisë së Zherovjanit, Burim Halimi ka deklaruar se vetëm seti i dytë i përngjante derbit midis ekipeve shqiptare.
Në anën tjetër trajneri i Shutovës, Bejtullah Emini u shpreh shumë i kënaqur nga fitorja e arritur dhe mikpritja e nikoqirëve.
Vullnet Dauti