E Enjte, 5 Nëntor 2026

Volejboll Meshkuj/Antion Qafarena beson tek kuqezinjtë

Shqipëria e volejbollit të meshkujve, e cila drejtohet nga Jani Melka, është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për stacionin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian. Pikërisht në Ploesht më 14 maj Shqipëria do të jetë përballë Rumanisë. Një ditë më pas do të luajë me Sllovakinë dhe më 16 maj do të jetë përballë Zvicrës. Në Nitra të Sllovakisë, me të tria këto ekipe, Shqipëria u mund. Por çfarë mund të bënte më tepër Shqipëria në pjesën e parë të këtyre kualifikueseve?

“Duke u nisur dhe nga grupi, me disa ekipe që janë elitare në futbollin europian, besoj se u munduam të japim maksimumin, pavarësisht rezultateve. Në disa moment treguam se jemi një ekip solid, që kërkojmë fitoren”, ka deklaruar Qafarena.

Tanimë kuqezinjtë e kanë një fizionomi të qartë për kundërshtarët. A janë të kalueshëm Rumania, Sllovakia dhe Zvicra?

“Duke parë dhe cilësitë e kualitetin e kombtares tonë, ku të gjithë po punojnë me përkushtim, nëse do të japim maksimumin, mund të marrim rezultat. Kemi përballë kundërshtarë të vështirë, por mund të marrim rezultate pozitive”.

“Të luash me sistem grumbullimi sikurse ndodhi në Nitra të Sllovakisë e sikurse do të ndodhë në Ploesht të Rumanisë është një tjetër vështirësi. Qafarena thekson: “Ambjentimi me pallatet e sportit do kohën e vet. Kur zhvendosemi jashtë ne kemi shumë pak kohë për tu ambjentuar, por duke parë dhe ndeshjet e kaluara mendoj se kemi ardhë me një ngritje në lojën tonë dhe besoj se ndeshjet në Rumani do të sjellin përmirësim akoma më të madh”.

Për shkak të dëmtimit të Amarildo Deliut, por dhe mungesës së Adri Arapit, Shqipëria luajti nën organizimin e 18-vjeçarit Grigor Vasili. Anton Qafarena flet për të edhe si kapiten i Shqipërisë.

“Nuk ishte dhe aq e lehtë, por ai bëri pjesën e vet. U mundua të jepte maksimumin për aq sa kishte mundësi dhe e vlerësoj shumë këtë fakt, të shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme të bëjmë akoma më mirë”.

Shqipëria udhëton të enjten drejt Ploeshti të Rumanisë, ndërsa të premten do të jetë në fushën e lojës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›