Volejboll Meshkuj/Shqipëria humbet miqësoren me Malin e Zi

Shqipëria në volejboll për meshkuj e ka humbur ndeshjen miqësore me Malin e Zi, e cila pasditen e së premtes është luajtur në Nikshiq. Në fakt ky ishte testi i dytë i kuqezinjve me Malin e Zi, sepse të enjten, edhe në formën e një stërvitje të përbashkët, është një lojë kontrolli, në të cilin vendësit kanë fituar 3-2.
Në ndeshjen e djeshme, kuqezinjtë kanë luajtur në formacionin e parë me Qafarenën, Qepën, Deliun, Çelën, Bakirin, Kristi Martiron dhe Muçën në rolin e liberos. Po kështu Melka ka aktivizuar dhe Dragoin, Barutin, Koçin, Talajn, Dodën, Vasilin dhe Klaudio Qerraxhinë në rolin e liberos së dytë.
Kuqezinjtë kanë bërë një ndeshje të mirë, ndërsa e kanë përballuar mirë skuadrën malazeze, që në fakt ka fituar me vështirësi. 25-23 seti i parë, 25-22 i dyti dhe 25-20 i treti. Dhe në përfundimin 3-0, teksa të gjithë janë bërë gati për të dhënë përshëndetjen e fundit, me marrëveshje e dy trajnerëve është luajtur dhe një set i katërt.
Një set i katërt i fituar nga Shqipëria 20-25, por që i dha mundësinë të dy skuadrave për të provuar të gjithë lojtarët. Tanimë Shqipëria do t’i japi dorën e fundit përgatitjeve në Tiranë, ndërsa më 4 maj do të niset drejt Nitras së Sllovakisë, atje ku 6-8 maj do të luajë pjesën e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2021, ndërsa më pas të dytën në Ploesht të Rumanisë më 14-16 maj.