Von der Leyen: Do përgjigjemi ndaj tarifave të Donald Trump

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për tarifat e vendosura nga SHBA-ja dhe është zotuar se do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse do të jetë e nevojshme.
“BE është e përgatitur të mbrojë interesat e saj me kundërmasa proporcionale kundër tarifave të Trump-it” është shprehur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas një telefonate që ka zhvilluar me Keir Starmer, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar.
Gjithashtu, von der Leyen ka shprehur shqetësimin për tarifat e shpallura nga Presidenti Trump në 2 Prill dhe dëmin që ato që paraqesin për të gjitha vendet — “si përmes efekteve të tyre direkte ashtu edhe indirekte, përfshirë në kombet më të varfra në botë”.
Duke pranuar që tarifat paraqesin një pikë kthese të madhe për Shtetet e Bashkuara, ajo riafirmoi angazhimin e BE-së për t’u angazhuar në negociata me SHBA-në, ndërsa sqaroi se BE është e gatshme të mbrojë interesat e saj përmes kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, ajo theksoi vendosmërinë e saj për të punuar me partnerët evorpianë në përgjigjen ndaj këtij realiteti të ri për ekonominë globale, duke pranuar se secili partner tregtar do të veprojë në përputhje me përparësitë e veta.
Trump javën e kaluar e vendosi BE-në në një grup prej 60 vendeve që i nënshtrohen tarifave më të larta të ashtuquajtura “reciproke ”.
Ai ka vendosur një tarifë prej 20 për qind për mallrat e BE-së që vijnë në SHBA. Von der Leyen ka thënë se BE ka një plan të fortë” për t’u hakmarrë kundër taksave të pjerrëta, por do të preferonte të negocionte.
Zyrtarët e BE-së nuk kanë përjashtuar masa hakmarrëse për shërbimet amerikane, të tilla si pezullimi i të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në teori, hakmarrja mund të synojë kompanitë e teknologjisë amerikane, bankat dhe ofruesit e shërbimeve financiare.
/rtsh.al/