Tarifat, Gaza, Hamasi dhe Irani-Netanyahu udhëton për në SHBA për t’u takuar me Trumpin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka udhëtuar sot për në Uashington, D.C., ku do të takohet me Presidentin Donald Trump.
Takimi që do të mbahet ditën e hënë do të përqendrohet te tarifat prej 17% që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj Izraelit duke krijuar përplasje ndërkohë Izraeli kishte eliminuar tarifat për mallrat e ShBA-së.
Të dy udhëheqësit do të diskutojnë të ardhmen e luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gazë, që ishte në qendër të takimit të tyre të mëparshëm në muajin shkurt.
Në një deklaratë të mëparshme të Netanyahut u tha se të dy do të diskutonin edhe për Iranin, të cilin Trump e kërcënoi dhe ftoi në negociata mbi programin e tij bërthamor.
Netanyahu e portretizoi vizitën e Shtëpisë së Bardhë si një demonstrim të marrëdhënies së tij të ngushtë personale me Trump.
Izraelitët kanë filluar të përgatitetn për vitin zgjedhor të 2026-s, dhe fushatat e fundit të kryeministrit janë përqendruar në atë që ai pretendon se është aftësia e tij e pakrahasueshme diplomatike.
“Mund t’ju them se jam udhëheqësi i parë ndërkombëtar, udhëheqësi i parë i huaj, i cili do të takohet me Presidentin Trump për këtë çështje, e cila është aq e rëndësishme për ekonominë izraelite. Ka një linjë të gjatë udhëheqësish që duan ta bëjnë këtë në lidhje me ekonomitë e tyre. Mendoj se kjo pasqyron lidhjen e veçantë personale, si dhe lidhjet speciale midis SH.B.A. dhe Izraelit, e cila është kaq jetike në këtë kohë”, u shpreh Netanyahu.
/rtsh.al/