Von der Leyen: E vetmja mënyrë është të mbrohemi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri një apel për unitet dhe siguri të përbashkët në prag të Samitit të së enjtes, duke adresuar përçarjet mes udhëheqësve evropianë mbi përdorimin e aseteve ruse dhe mosmarrëveshjet mbi marrëveshjen e tregtisë së lirë BE–Mercosur.
Në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg, von der Leyen theksoi se Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj, sidomos në hijen e luftës në Ukrainë.
“Kjo nuk është më një opsion. Është e nevojshme,” deklaroi ajo, duke shtuar se “ne evropianët duhet të mbrojmë veten dhe duhet të mbështetemi te vetja. Nuk mund të lejojmë që botëkuptimet e të tjerëve të na përcaktojnë.”
Duke folur për sfidat e sigurisë dhe ekonomisë, von der Leyen nënvizoi se epoka e pavarësisë evropiane duhet të jetë e pandalshme.
“Nga tregtia te energjia dhe aftësitë tona mbrojtëse. Epoka e pavarësisë së Evropës duhet të jetë e pandalshme,” tha ajo.
Në fjalimin e saj, Presidentja e Komisionit Evropian iu referua edhe Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, duke theksuar se ajo pranon se Evropa po humbet pjesë të PBB-së globale, por paralajmëroi se edhe SHBA-ja është në të njëjtën rrugë.
Ky apel i fortë vjen në një moment kritik për Bashkimin Evropian, ku sfidat e brendshme dhe të jashtme kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një vizion të ri për të ardhmen e kontinentit.
/rtsh.al/