E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama ndan pamje: Sheshi Isa Boletini në Shkodër po u kthehet qytetarëve

Procesi i lirimit të hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet e paligjshme po vijon me intensitet në të gjithë territorin e vendit, si pjesë e nismës kombëtare të nisur në korrik 2025.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga procesi i rehabilitimit të Sheshit “Isa Boletini” në Shkodër, ku po vijon çlirimi i hapësirave publike të zëna nga ndërtime pa leje.

Në publikimin e tij, Rama theksoi se pas prishjes së objekteve të paligjshme që kishin uzurpuar hapësirën publike, ka nisur rikonstruksioni i lulishtes për ta kthyer në një hapësirë të gjelbër, të hapur dhe funksionale për qytetarët.

 “Sheshi Isa Boletini në Shkodër po u kthehet qytetarëve. Pas prishjes së objekteve që kishin zënë hapësirën publike, ka nisur rehabilitimi i lulishtes, për ta rikthyer atë në një hapësirë të gjelbër, të hapur dhe funksionale për të gjithë”, shkroi Rama, duke publikuar pamje nga shembja e një godine dykatëshe të ndërtuar pa leje.

Aksioni sistematik i “Rilindjes Urbane 2.0”

Kjo nismë është pjesë e operacionit të vazhdueshëm për rivendosjen e rendit urban dhe nuk konsiderohet një aksion i përkohshëm. Ndërhyrjet janë të planifikuara në gjithë vendin, me prioritet në zonat bregdetare dhe ato me rëndësi turistike. Qeveria ka bërë të ditur se operacioni do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të “Rilindjes Urbane 2.0”.

Në mbështetje të këtij operacioni, autoritetet kanë vënë në dispozicion portalin “Hapësiraimepublike.gov.al”, ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e uzurpimit të hapësirave publike. Deri tani janë raportuar 16,906 raste, nga të cilat 12,968 janë zgjidhur, ndërsa 3,938 raste të tjera janë ende në proces shqyrtimi.

Ky aksion i gjerë synon jo vetëm çlirimin e hapësirave të zëna, por edhe rikthimin e tyre në funksion për komunitetin, duke i transformuar në ambiente të gjelbra, të hapura dhe të aksesueshme për të gjithë qytetarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›