Von der Leyen: Prishtina e Beogradi “të kapin momentin” në dialog

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. “Mendoj se tani është një mundësi reale për të dyja palët që të përfitojnë nga momenti. Normalizimi është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. “Unë me të vërtetë shpresoj që të dyja palët të jenë shumë konstruktive në bisedimet në vijim”, citohet të jetë shprehur ajo këtë të martë sipas KosovaPress.
Ndërsa, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak deklaroi se pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk do të ketë një marrëveshje. Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Lajçak u shpreh se qëllimi nuk është që dikush të fitojë dhe dikush tjetër të humbasë. “Qëllimi është të kërkojmë një situatë të favorshme dhe të hapim derën evropiane”, theksoi Lajçak ndër të tjera gjatë intervistës së dhënë.
Ndërkohë në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, tha sot se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai. “Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”, u shpreh Kurti. Një ditë më herët, Kurti tha se është duke analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar BE për formimin e Asociacionit.
/ rtsh /