Bisedimet Prishtinë-Beograd, Vuçiç: Nuk do të ketë njohje as de facto dhe as de jure të Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk do të ketë njohje as de facto dhe as de jure të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Nuk do të jem unë ai që do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës. Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës as de facto, as de jure, por ne duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, tha ai nga qyteza e Vranjës, në jug të Serbisë.
Vuçiç tha se shpresonte që deri në fund të vitit të mund ta vizitojë Kosovën. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Ne po përgatitemi për bisedime të hënën dhe të martën, dhe pas kësaj do të shkojmë në Ohër. Më besoni se nuk e kam të qartë se për çfarë të flasim atje”, tha ai pas gjatë takimit të partisë së tij politike, Partisë Progresive Serbe.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 13 dhe 14 mars. Lajçak qëndroi në Kosovë më 9 dhe 10 mars. Fillimisht ai takoi presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Lajçakun, Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
/rtsh/