Vora mposht Partizanin 4-1, Karrica shkëlqen me tripletë

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Vora ka marrë një fitore bindëse 4-1 ndaj Partizanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të Superiores, të luajtur këtë të diel në orarin e drekës. Skuadra e drejtuar nga Arian Bellaj dominoi sfidën dhe shfrytëzoi rastet për të siguruar tri pikë të rëndësishme.
Protagonisti kryesor i takimit ishte Bernard Karrica, i cili realizoi tri gola. Sulmuesi zhbllokoi rezultatin në minutën e 17-të, ndërsa në minutën e 50-të dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë.
Partizani reagoi po me një penallti, të kthyer në gol nga Rwan Human, duke ngushtuar përkohësisht diferencën në 2-1. Por Pedro Clemente riktheu epërsinë e dyfishtë për Vorën, duke i dhënë qetësi skuadrës vendase. Në minutën e 91-të, Karrica vulosi fitoren 4-1, duke kompletuar tripletën personale.
Për Partizanin, kjo është një tjetër goditje në një sezon të vështirë. Ndryshimi i trajnerit nuk ka sjellë ende reagimin e pritur, ndërsa humbja ndaj Vorës vjen pak ditë pas disfatës në derbin me Tiranën.
Në pesë ndeshjet e fundit, të kuqtë kanë regjistruar vetëm një fitore dhe katër humbje radhazi, duke mbetur në vendin e fundit me katër pikë. Në krahun tjetër, Vora ngjitet përkohësisht në vendin e pestë, me tetë pikë pas shtatë javësh kampionat.
Java e shtatë e Superiores mbyllet në mbrëmje me përballjen Egnatia-Vllaznia, që do të luhet në Rrogozhinë.
Rezultatet:

Klasifikimi momental
/a.f/