E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vota e Diasporës, Balla-opozitës: Votoni ndryshimet në kodin zgjedhor, mbulojmë dhe kostot e postës

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i kërkoi sot opozitës të bashkojë votat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përmes të cilave sigurohet votimi i diasporës.

“Nevojitet dakordësia, për shkak se PS nuk i ka 84 vota të mundësohet ndryshimi në Kodin Zgjedhor, sa i përket afateve të regjistrimit të kandidatëve, siç ka kërkuar KQZ, për të mundësuar dërgimin në kohë të fletës së votimit të qytetarët shqiptarë për të votuar më 11 maj”, tha Balla, gjatë një replike në Kuvend me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku.

Balla vuri në dukje se përmes këtyre ndryshimeve synohet mbulimi i kostos edhe për kthimin e fletës së votimit, fonde këto që do të sigurohen nga Fondi Rezervë i qeverisë.

Ai akuzoi Berishën për kërcënim të ambasadave shqiptare duke u bërë edhe thirrje mbështetësve të vet që t’i godasin me vezë.

Më tej Balla u ndal dhe te projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

“Shqipëria po përafron legjislacionin e vet për të mbrojtur qytetarët. Opozita kundërshton mbrojtjen e të dhënave personale. Nuk kemi shkuar në atë nivel që janë masat maksimale të një pjese të vendeve anëtare, por kemi bërë një ligj që kemi marrë 100% konfirmimin e Komisionit Europian”, tha Balla.

Ky ligj, tha Balla, është gjëja e duhur në këtë moment kërcënimi të demokracisë.

“Është gjëja e duhur që në këtë moment kërcënimi nga keqpërdorimi i aktorëve jodashamirës i rrjeteve sociale dhe puna që po bëhet në Komisonin Kundër Dezinformimit është puna e duhur dhe është i mirëpritur dhe kontributi i opozitës”, u shpreh Balla.

Ajo që ndodhi në Rumani, theksoi ai, është konfirmimi se si këto rrjete sociale përmes algoritmeve mund të shndërrohen në instrumente të ndikimit në procese demokratike të aktorëve të huaj, në një vend të caktuar.

Balla bëri të ditur se po miratohet një ligj i fortë, sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale dhe luftës kundër përdorimit edhe të rrjeteve sociale.

“Adreson edhe pretendime që lidhen gjoja me përdorimin e të dhënave personale nga “patronazhistët””, u shpreh ai.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›