Vota e diasporës, Bruci: Procesi i regjistrimit është i thjeshtë, nuk raportohen problematika

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Sekretarja për Diasporën në Partinë Socialiste, Zerina Bruci deklaroi sot se shifrat e regjistrimit të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit janë shumë optimiste.
Në një intervistë televizive, Bruci u shpreh se emigrantët janë mjaft të interesuar për të votuar.
Sipas saj, “procesi i regjistrimit është i thjeshtë dhe kërkon dokumente minimale”.
“Shifrat janë shumë optimiste. Emigrantët janë shumë të interesuar për të qenë pjesë. Në ditët në vijim, presim më shumë bashkatdhetarë që të regjistrohen. Sistemi i përgatitur nga KQZ është lehtësisht i përdorshëm. Është një proces i thjeshtë, që kërkon dokumentet minimale. Kërkon dokument identifikimi dhe adresën ku aplikanti pret zarfin e votës”, u shpreh Bruci.
Bruci theksoi se deri më tani nuk ka pasur raportime të problematikave madhore.
“Këtë javë kemi qenë në Greqi dhe Itali, për të qenë afër bashkatdhetarëve tanë. Për ne, është e rëndësishme që procesi të funksionojë. Janë 48 orët e para të regjistrimit, është herët për të bërë analiza të karakterit demografik. Vendet me regjistrimet më të mëdha janë Italia, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, SHBA-ja”, theksoi ajo.
Bruci theksoi se “jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo veprim që ta bënim këtë proces historik sa më transparent dhe komod”.
“Ka pasur diskutime në lidhje me disa ndryshime që do e bënin më të përshtatshme votën e diasporës. Ndryshimet bëhen për përmirësimin e kushteve për votën e diasporës. Janë në fazë diskutimi. Jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo veprim që ta bënim këtë proces historik sa më transparent dhe komod”, theksoi ajo.
/m.m/j.p/