E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vota e diasporës, vendimtare”, Topalli: Qeveria s’mund të deformojë dot vullnetin e shqiptarëve jashtë vendit

Nga Olta Blaceri

Jozefina Topalli e cila ka qenë pjesë e të paktën 12 betejave elektorale prej vitit 1996 beson se vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe ndryshimin e drejtimit politik.

Prej ditës kur është vendosur si drejtuese politike e PD për diasporën, Topalli ka takuar shqiptarët në Amerikë, Gjermani e Itali dhe ajo beson se vota e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit është një votë të cilën qeveria as nuk mund ta blejë dhe as nuk mund ta kontrollojë.

“Nëse shqiptarët vendosin që gjëja duhet të ndryshojë, për shkak të korrupsionit që ka arritur shkallën më të pabesueshme, për shkak të lidhjes që ky korrupsion ka me pushtetin politik, me qeverinë dhe me grupet kriminale, sigurisht që ata mund ta përmbysin situatën dhe një mbështetje kryesore në këtë drejtim mund  të japë diaspora e cila nuk është e kushtëzuar dhe nuk është në presionin e pushtetit”, tha Topalli.

Ajo akuzoi qeverinë se ka vendosur nën presion administratën për të detyruar familjarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë PS.

“Ky objektiv i tij është i projektuar mbi detyrimin që ai ka si mision, për të përdorur administratën dhe për të kushtëzuar punësimin e tyre me detyrimin e familjarëve të tyre që jetojnë jashtë vendit për të votuar. Kjo është kriminale”, shtoi Topalli.

Opozita ka zgjedhur një strategji ndryshe për fushatën me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke iu dhënë prioritet takimeve të vogla me ta dhe fokusi do te jene 1 milionë shqiptaret që sipas PD në 10 vitet e fundit janë larguar nga vendi.

“Unë besoj se do të kemi mundësi të sensibilizojmë më shumë ata shqiptarë që i kanë përzënë nga Shqipëria. Dhe kur janë përzënë, nuk janë përzënë se pushteti u ka ofruar atyre gjë, por u ka mbyllur çdo atyre derë”, deklaroi Topalli.

Edhe Partia Demokratike prej javësh po punon për regjistrimin e demokratëve dhe qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.  Por Topalli e pranon se dhe vetë PD ka problem organizimi sot.

“Ka degë që përpiqen të bëjnë një gjë të tillë, ka të tjera pastaj që janë… ndryshe”, u shpreh ish-kryetarja e Kuvendit.

Topalli ka qenë kryetare e parlamentit për 8 vite, nënkryetare e kuvendit për dy mandate, deputete për disa legjislatura dhe sipas saj të dy krahët politikë nuk kanë bërë mjaftueshëm për diasporën.

Në 11 maj për herë të parë diaspora shqiptare do të mund të votojë në shtetin, qytetin ku jeton dhe dy partitë e mëdha PS e PD janë fokusuar tek fushata jashtë kufijve duke tentuar të bindin këtë pjesë të qytetarëve shqiptarë tu besojnë votën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›