E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat e PD në trajektore rënëse, ja pse partia e Topit përbën kërcënim për Berishën

Share

Partia Socialiste rezulton të jetë dukshëm më përpara se sa Partia Demokratike kur flitet për rivalitet siglash politike. Madje në zgjedhjet e fundit administrative, krahasuar me votimet e katër viteve më parë diferenca mes tyre është rritur. Siç raporton Lajmifundit.com i njëjti avantazh mes partisë së drejtuar nga Edi Rama dhe partisë së drejtuar nga Sali Berisha vihet re edhe konkretisht në Qarkun e Tiranës. Për lehtësi studimore do të lëmë jashtë vitin 2005 kur Partia Socialiste dhe Partia Demokratike i shpërndarë votat në sajë të fenomenit të dushkut duke nxjerrë parti të parë Partinë Socialdemokrate dhe Partinë Republikane në sistemin proporcional.

Nga të dhënat e tre proceseve të fundit zgjedhore mund të krijohet një trajektore e mbështetjes politike për secilën prej dy partive kryesore politike. Në zgjedhjet administrative të 18 shkurtit 2007 Partia Socialiste në rang vendi ka marrë 305582 vota ndërsa Partia Demokratike ka marrë 271705. Diferenca mes tyre ka qenë 33877 vota në favor të partisë kryesore të së majtës. Konkretisht në Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e katër viteve më parë, socialistët morën 88909 vota përballë 82421 votave të demokratëve. Diferenca në qark Tirane ishte 6488 vota.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, Partia Socialiste në rang vendi kishte 620586 vota ndërsa Partia Demokratike 610463 vota. Diferenca mes tyre e përkthyer në vota ishte 10123 të tilla në favor të socialistëve. Në Qarkun e Tiranës partia e Edi Ramës mori 162757 vota ndërsa partia e Sali Berishës 161332 vota. Diferenca flet për një avantazh të lehtë të socialistëve me 1426 vota në këtë qark.

Në zgjedhjet administrative të 8 majit 2011, nga të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se Partia Socialiste ka grumbulluar në të gjithë Shqipërinë 432823 vota përballë 330950 votave të grumbulluara nga demokratët. Diferenca flet për një avantazh me 101873 vota në favor të Partisë Socialistë të së majtës. Në Bashkinë e Tiranës, votat e marra nga socialistët në zgjedhjet e fundit ishin 104785 ndërsa demokratët grumbulluan në të njëjtin qark 77412 vota. Diferenca midis dy siglave politike në nivel qarku Tiranë është 27373 vota në favor të socialistëve.

Lajmifundit.com konstaton se nëse bëjmë një krahasim të zgjedhjeve lokale të vitit 2007 me zgjedhjet lokale të vitit 2011 mund të kuptojmë tendencën e votave të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në rastin e vëzhgimit tonë do të marrim për bazë diferencën mes PS-së dhe PD-së në dy zgjedhjet e fundit lokale të cilat kanë tregues të njëjtë elektorale. E njëjta logjikë do të funksiononte në tendencën krahasuese mes zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre të prishte të vitit 2013. Krahasimi mes zgjedhjeve lokale tregon se votat e Partisë Demokratike janë në një trajektore rënëse ndërsa koalicioni i djathtë i drejtuar nga Partia Demokratike kompenson humbjet me votat e aleatëve.

Krijimi i partisë së re nga ana e Presidentit Bamir Topi dhe mbështetësve të tij pritet që të gërryejë sadopak votat e shportës së Partisë Demokratike duke e thelluar ndjeshëm diferencën mes dy partive kryesore në vend. Mbetet për tu parë edhe votat që mund të marrë Aleanca Kuq e Zi po tek Partia Demokratike. Përveç faktorit të konsumimit në qeverisje për dy mandate rresht ekziston edhe rrisku i dy valëve emigruese nga elektorati i PD-së drejt partisë së re të Presidentit Topi dhe Aleancës Kuq e Zi. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse mazhoranca ka nisur një sulm të fortë ndaj Presidentit Bamir Topi dhe kreut të Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu./lajmifundit

Përballja e votave PS-PD

Zgjedhjet 2011 në rang vendi
PS    432823 vota
PD    330950 vota

Diferenca: 101873 vota

Në Bashkia Tiranë
PS    104785 vota
PD      77412 vota

Diferenca: 27373 vota

Zgjedhjet 2009 në rang vendi
PS    620586
PD    610463

Diferenca: 10123 vota

Në qarkun Tiranë
PS    162757 vota
PD    161332 vota

Diferenca: 1426 vota

Zgjedhjet 2007 në rang vendi
PS    305582 vota
PD    271705 vota

Diferenca: 33877 vota

Në Qarkun Tiranë
PS    88909 vota
PD    82421 vota

Diferenca: 6488 vota

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›