Karizmatikët
Nga Dod Kahmajasi
Në optikën shqiptare ku njerëzit vazhdojnë të klasifikohen me ne ose kundër nesh, domethënë armik (ka dhe më keq akoma: me udhëheqësin tonë ose kundër tij), pak syresh nderohen nga grupe të mëdha d.m.th. janë karizmatikë. Me sa e njoh unë historinë e shtetit shqiptar, vetëm nja pesë veta (njëri po i humb pikët) e kanë këtë aureolë të karizmatikut të vënë nga tifozët e tyre ( për ideale ose për interesa) apo nga kundërshtarët e hasmit të tyre. Vetëm ata lavdërohen, shahen por dhe mbrohen deri në sherr (edhe kur kanë vrarë me mijëra dhe kur janë të dhunshëm e pervers, mbase për këto i adhurojnë ), madje ju këndojnë dhe këngë. Me sa duket tek ata shohin idealin e tyre, dhe për këtë shpërblehen me mbrojtje dhe karrierë sipas rregullave të klientelizmit feudal. Ndërkohë dikush po mundohet ta vejë vetë aureolën e lavdisë, duke marrë poza e duke kërkuar poste, duke sharë gjithçka e lavdëruar ndokënd, për ti treguar se është shumë i zoti dhe i dobishëm për Kombin. Ka dhe sot ndër ne, për fat të keq, njerëz që mendojnë se shpëtimi vjen nga individë e nga duele prijësish (me sharja e fyerje), në shesh të mejdanit. Sipas mendjes time këta personazhe atë historisë moderne shqiptare janë: Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ismail Kadare, Sali Berisha dhe Fatos Nano mbahen si ikonat në mesjetë. Të gjithë ata kanë karakterizohen nga cilësi të personalitetit që janë të pëlqyeshme për bijtë e arbërit : janë kryeneç, mendjemëdhenj, të bindur se janë të përjetshëm, të dhunshëm ndaj kundërshtarëve dhe kur për një kohë i kanë pasur bashkëluftëtarë, nuk kanë asnjë fre moral për të mbajtur pushtetin, të gatshëm të ecin mbi kufoma. Që është në natyrën tonë të pranojmë për perëndi, për shumë të zotë e çudibërës disa njerëz kjo është kaq e vërtetë sa që po dalin dhe ca tjerë që koha do tregojë a do të bëhen kaq karizmatikë sa këta. Të gjithë ata i lidh dhe një diçka tjetër e përbashkët për ta. Ata janë arratisur (ose gati arratisur ose ishin të arratisur brenda vendit) nga populli, domethënë kur e kanë ndjerë në rrezik kokën e tyre (vetëkuptohet dhe karrigen) nuk janë menduar për popullin që deri atëherë e quanin të tyren. Kjo është e kuptueshme ,mbasi i mbushën mendjen vetes se janë të zgjedhurit me një mision, pra jo si te tjerët por mbi ta, nuk mund të rinin me të tjerët në rrezik për kokën.
Ahmet Zogu, mbreti anadollak, në vitin 1939 u largua nga Shqipëria pa shkrehur ai vetë një pushkë, nuk as u morr vesh me italianët që ta bënte sa për formë këtë, nuk i interesonte gjë veçse të ikte sa më parë me bagazhin e tij të çmuar, nuk mendoi aspak për shtetasit e tij.
I pari komunistëve shqiptarë Enver Hoxha u mbyll në bllokun e udhëheqësve, siç e quanin, në një territor të rrethuar ku askush nga populli nuk mund të hynte dhe ku ishin nën kontroll të gjithë banorët e tij. U arratis nga bota e shqiptarëve.
Ismail Kadare, kur komunizmi kishte ditët të numëruara dhe i trembej pasojave si shkrimtar i oborrit që ishte, u largua. Me qenë se arratisja e tij luajti rol në diskreditimin e regjimit, ai mundohet të vet shpallet disident. Veprim ky i gabuar që i ka hapur probleme me kritika të shumta, kur mund ti mjaftonte emri si njeriu më i shquar i letrave shqipe në botën e sotme.
Sali Berisha, që për 25 vite rresht mburrej se ishte komunist 24 karatesh, u kthye kur ja kërkoi partia në një demokrat laraman (në zemër komunist në publik demokrat) dhe që nga viti 96 tërheq zvarrë shqiptarët. Ai, pasi i dorëzoi pushtetin komunistëve dhe kishte nisur tek mafiozët italian kunatin dhe fëmijët, nga dreka e datës 13 mars 1997, bashkë me gruan hipi në helikopterin presidencial, që e priste tek pallati i Brigadave, për të shkuar në Rumani. Për fatin e keq të shqiptarëve nuk unissepse në celular i thanë nisesh por nuk mbërrin gjëkundi dhe ai, si trim zbriti, për të keqen tonë. Një dëshmi të tërthortë për ata që nuk duan të besojnë e dha Ilir Meta, këtu e tre vjet të shkuara në parlament, kur i tha, pas disa kërcënimeve, ..se tashti nuk ke as helikopter që të ikësh.
Fatos Nano, sillej si pervers e i papërgjegjshëm për postin dhe detyrat që kishte, kreu arratisjen më të turpshme. Kur populli demokrat rrethoi Kryeministrinë më 14 shtator 1998, ai nga një portë e pasme e ndërtesës u largua fshehurazi për në Maqedoni, duke braktisur detyrën. Kaq do të mjaftonte në çdo vend demokratik për tu larguar (dëbuar) nga politika për gjithnjë. Por në Shqipëri, me ardhjen në pushtet të Tosit që e ktheu vendi në çiflig personal, tolerohet çdo mbrapshti e çdo hajni, duke u bërë metodë pune nga të gjithë qeveritarët. Megjithatë ai u ribë kryeministër dhe kërkon të bëhet president. Në horizontin politik shqiptar shfaqen herë pas here figura që kërkojnë pushtet absolut, që e quajnë se janë me mision hyjnor dhe se ne duhet ti durojmë e tu nënshtrohemi. Ata nuk i dalin popullit për zot, e dhunojnë gjithë formash, e vjedhin së bashku me fëmijët e soj e sorollop këtë vend, e shesin tek të huajt, e izolojnë nga bota e qytetëruar, na i bëjnë të pamundur jetën këtu. Urojmë të kenë të njëjtin fat me të mësipërmit , por, më mirë do ishte që të ishte populli që ti flakte jashtë nga politika, jo ti kthej në karizmatik e të pres vdekjen e këtyre diktatorëve anakronik për shekullin e XXI, që të shpëtoj nga diktatura apo autoritarizmi.