Votat pro e kundër: Përjashtohet Islami, debatet në Grupin e PS
Vendimi merret me 52 vota pro, 4 kundër dhe dy abstenime. Rama: Do ti gjej spiunët dhe do ti çregjistroj nga Grupi.
Deputetët socialistë votuan në shumicë për çregjistrimin e Kastriot Islamit nga Grupi Parlamentar dhe PS. Gjatë një mbledhjeje, e cila nisi me tension mes Islamit dhe Edi Ramës, 52 deputetë votuan pro largimit të kolegut të tyre, Arben Malaj, Marko Bello, Tom Doshi dhe Azir Gashi votuan kundër këtij largimi, ndërsa dy prej tyre, Pandeli Majko dhe Ethem Ruka, abstenuan. Që në fillim të mbledhjes, ashtu siç ishte shprehur dhe një ditë më parë, Islami i kërkoi kreut të Grupit, Gramoz Ruçi, që ti jepte mundësi atij të dëgjohej përpara deputetëve, por dhe në prani të mediave. Kjo kërkesë ka krijuar tension mes Ramës dhe Islamit, i cili donte të bënte sqarimet e rastit për vendimmarrjen e deputetëve. Që në nisje të fjalës së tij, Rama u shpreh se ajo që kishte thënë në mbledhjen e Kryesisë të premten e shkuar nuk kishte të bënte me shkarkimin e Islamit, por me zbatimin e Statutit, si një rregull të pranuar dhe vendosur nga të gjithë deputetët. Por Islami është larguar nga mbledhja duke pritur një vendimmarrje të Grupit për zhvillimin e saj në praninë e mediave. Rama ka vijuar fjalën e tij duke thënë se debatet që zhvillohen në forumet e PS nuk duhet të bëhen pjesë e mediave, pasi ishte duhet hetuar personat që spiunojnë në media.
Votimi
Grupi Parlamentar ka votuar që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura, por Islami nuk pranoi të marrë pjesë në të për të shprehur qëndrimin e tij për vendimin që pritej të merrej. Arben Malaj, i cili votoi kundër çregjistrimit të Islamit, ka kërkuar më shumë fleksibilitet nga deputetët e Grupit sepse me politika përjashtuese, sipas tij, PS humbet forcën e saj elektorale. Nga pikëpamja politike është e dëmshme dhe nuk u shërben sfidave që ka qoftë modernizimi i Partisë Socialiste, qoftë modernizimi në tërësi i demokracisë në vendin tonë, është shprehur Malaj. Edhe deputeti Bello është shprehur kundër përjashtimit të Islamit nga Grupi i PS-së. Nëse dikush gabon, shumica nuk duhet të jetë kaq agresive, ne jemi parti e madhe, demokratike. Gjërat duhen parë me gjakftohtësi. Ne kemi bërë një amnisti ku kemi falur shumë gjëra dhe më të rënda, dhe nuk mund të falim një mungesë në një seancë që nuk solli asnjë efekt politik, mësohet të ketë thënë Bello. Po ashtu, kundër çregjistrimit ishin dhe deputetët Tom Doshi dhe Azir Gashi. Sipas Tom Doshit, arsyeja pse kërkohet të përjashtohet Islami është e pajustifikueshme. Islami ka kryer veprime edhe më të rënda se mospjesëmarrja në një seancë Kuvendi. Përderisa nuk e kemi regjistruar atëherë, arsyeja e sotme nuk është më e rëndë për të shkuar në çregjistrim të tij nga Grupi i PS, mësohet të jetë shprehur Doshi. Në një votim të hapur, 52 deputetë votuan pro çregjistrimit dhe përjashtimit të Islamit nga Grupi i PS, katër ishin kundër dhe dy deputetë abstenuan.
Debatet në mbledhjen e Grupit
Gramoz Ruçi: Në seancën e fundit parlamentare ne kishim vendosur që të votonim kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për kreun e KLSH-së. Kishim vendosur që duhet të ishim të gjithë, pa përjashtim, në seancë, madje disa shokë u kthyen dhe nga jashtë shtetit, ku kishin vajtur për arsye shëndetësore. Kjo tregon se vendimi politik që Grupi kishte marrë ishte i rëndësishëm për ne. Siç bëjmë në çdo mbledhje Grupi, dua edhe sot të bëjmë analizën tonë për seancën e kaluar. Dua të ndalemi te mungesa e shokut tonë, Kastriotit, i cili nuk ka paraqitur ndonjë arsye pse mungoi në këtë seancë.
Kastriot Islami: Unë kam kontaktuar me kryetarin e Grupit, Gramozin…
Edi Rama: Prit se duhet të flas unë si kryetar i partisë.
Kastriot Islami: Jo, këtu po flitet për mua, dhe unë i kam kërkuar Gramozit që kjo mbledhje të bëhet me dyer të hapura dhe në prezencën e mediave. Vetëm në këtë mënyrë unë do të shpreh arsyet e mia pse mungova në këtë seancë. Më lajmëroni kur ju të vendosni që kjo mbledhje do të hapet për mediat.
Gramoz Ruçi: Nuk do ta bëjmë Grupin si KPD-ja e dikurshme.
Islami largohet nga mbledhja
Edi Rama: Dua ti propozoj Grupit vetëm zbatimin e rregullores. Fjala ime në mbledhjen e Kryesisë socialiste mori përmasa të tjera nga çisha shprehur përmes mediave. Por thelbi i fjalës sime në mbledhjen e Kryesisë ishte zbatimi i Statutit. Nuk kemi kohë për të humbur duke u marrë përditë me probleme. Por dua të tërheq vëmendjen se ata që do ti nxjerrin në media këto gjëra, debatet nuk do të jenë më deputetë. 1% është këtu që ua jep mediave diskutimet tona, do ta gjej dhe do të çregjistrohet për thyerje të rëndë të disiplinës së Grupit. Çdo njeri ka dinjitetin e vet, por dhe Grupi ka dinjitetin e vet ne duhet ti bindemi vendimit të shumicës.
Arben Malaj: Deputetët nuk duhet të jenë thjesht kartonë solidarë, por duhet të kenë personalitetin e tyre. Nëse do të përjashtohej deputeti i PS-së, kjo do të ishte një ngjarje e dëmshme për politikën shqiptare. Ne duhet të jemi më fleksibël, pasi kemi pasur edhe më të rënda në të kaluarën dhe nuk kemi shkuar në këtë zbatim strikt formal të Statutit për një rast mospjesëmarrjeje. Ju kujtoj se 14 deputetë socialistë nuk votuan kundër buxhetit të qeverisë së Sali Berishës, dhe kjo votë ishte kundër vendimit të përhershëm politik të Grupit. Ata nuk u përjashtuan. Pse duhet të jemi kaq të ngurtë? Nëse duhej të zbatohej Statuti dhe rregullat e vendosura nga ne duheshin përjashtuar 14 deputetët.
Marko Bello: Në parim jam kundër përjashtimeve, por duhet ti japim një mundësi tjetër kolegut, i cili nuk ishte seancën e kaluar. Nëse dikush gabon, shumica nuk duhet të jetë kaq agresive. Ne jemi parti e madhe demokratike. Gjërat duhen parë me gjakftohtësi. Ne kemi bërë një amnisti, ku kemi falur shumë gjëra dhe më të rënda dhe nuk mund të falim një mungesë në një seancë që nuk solli asnjë efekt politik.
Besnik Bare: Ky fleksibilitet a ka impakt negativ te votuesi ynë? Ky është shqetësimi im. Këtu, disa, njëherë i referohen Statutit, njëherë flasin për fleksibilitet e tolerancë, pra largohen nga Statuti. Ska arsye të kemi dy standarde. Nëse u vendos një moment pas të cilit do të zbatohet Statuti, atëherë ai duhet respektuar.
Mbledhja
Mungojnë Blushi dhe Harasani
Dy deputetë, pjesë të ish-Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Ben Blushi dhe Andis Harasani, munguan dje në mbledhjen kur deputetë socialistë diskutonin dhe votonin për përjashtimin e Islamit nga Grupi. Mësohet se Harasani ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë familjes së tij, ndërsa Blushi ndodhej në Itali.
Deputeti socialist, Andis Harasani, u shpreh në Facebook se: Mungesa ime sot në Grup ka qenë me arsye! Nuk ndodhem në Shqipëri. Dhe megjithëse kam munguar, votoj dhe do votoj kundër çdo lloj përjashtimi, aq më shumë të themeluesve të PS!.
Malaj me të rinjtë: Çregjistrimet e politikanëve, të dëmshme për partitë
Çregjistrimet e deputetëve apo përjashtimet e politikanëve janë njerëzisht të trishtueshme dhe politikisht të dëmshme për partitë politike dhe për demokracinë tonë, u shpreh Malaj dje gjatë një takimi me të rinjtë. Dje pasdite, në Qytetin Studenti, deputeti Arben Malaj mori pjesë si i ftuar së bashku me Ilir Zelën, kryetarin e parë të FRESSH në panelin e diskutimit, gjatë takimit të hapur, organizuar me studentë dhe pedagogë të Shkencave Ekonomike dhe Politike nga Shoqëria Shqiptare për Vizion dhe Virtyt, ku u diskutua mbi tematikën Shqipëria: Sfidat ekonomike dhe politike të saj.
Në shoqëritë demokratike janë individët që përzgjedhin partitë politike, të