Votimet që kanë ngecur te hapja e kutive

Me një diferencë të ngushtë mes së djathtës dhe së majtës, 28 qershori prodhoi një Kuvend që nuk arrin dot të miratojë ligjet më të rëndësishme që BE i ka vënë kusht Shqipërisë.
Edhe pse procesi i zhvillimit të zgjedhjeve u pranua si normal nga të dyja palët, numërimi dhe dalja e rezultateve provokoi një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, duke bërë që ekuilibri i Parlamentit që doli nga 28 qershori, të vendoset nga gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor.
Kështu, pas kërkesës së PS-së për rinumërimin e votave të Qarkut të Tiranës, Shkodrës dhe Beratit, kolegji vendosi rrëzimin e kërkesave të opozitës, duke zyrtarizuar rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili, edhe pse opozita i kontestoi ato, me 7 vota pro, pra edhe të anëtarëve të propozuar nga e majta, certifikoi konfigurimin e Parlamentit të dalë nga ato zgjedhje, që i jepnin PD-së dhe aleatëve të saj 70 deputetë, PS-së dhe PBDNJ-së 66 dhe 4 LSI-së.