E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, Balla u tregon emigrantëve si të regjistrohen

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla rikujtoi edhe njëherë sot përmes një postimi në rrjetet sociale se procesi i regjistrimit për zgjedhjet e 11 Majit 2025, për votuesit shqiptarë jashtë vendit nis në 11 janar.

Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ ose nëpërmjet faqes www.kqz.gov.al

Balla rendit edhe listën e dokumentacionit që KQZ ju kërkon për regjistrimin në platformën PER: Kartë ID ose Pasaportë; Dokumentacioni i nevojshëm i deklarimit të adresës duhet të përmbajë emrin e zgjedhësit të njëjtë me emrin në dokumentin e ID për regjistrim në PER (mjafton vetëm një prej tyre); dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar nështetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës; dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse;

kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës; dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim bankar etj), që përmban adresën e banimit; kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë; kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë; kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive; kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë; leje drejtimi automjeti (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit; dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, qendër emigracioni, apo tjetër të ngjashëm; çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.

Për regjistrimin ju nevojitet një pajisje elektronike (telefon inteligjent, laptop, PC i pajisur me kamera ballore) për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimi (fotografimi) i dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›