E Martë, 3 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, KQZ: 129 139 zarfe me fletëvotimi të mbërritura në Tiranë

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kur në ndajnë 9 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, numri i zarfeve me fletët e votimit që kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është 129 139.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ deri sot në orën 15:05, janë 219 464 zarfe të marra nga zgjedhësit, ndërsa në total janë 245 935 zarfe të dërguara.

Numrin më të lartë të kthimeve e mban Italia me 58 520, ndjekur më pas nga Gjermania e Greqia. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 31 094 zarfe, Durrësi 15 995, Fieri 15 895.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha sot për gazetarët se posta “DHL ka detyrimin që të mbajë në zyra zarfet që nuk ka mundur t’ua dorëzojë votuesve dhe që votuesit nuk kanë mundur që t’i tërheqin deri më datën 8 maj”.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri në datën 11 maj, pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›