E Martë, 3 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Dubai i dënuari me burgim të përjetshëm Florenc Çapja

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot, se në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted” u ekstradua në Shqipëri i shumëkërkuari Florenc Çapja.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ky operacion u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar.

““The Wanted”, u finalizua me sukses, arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Florenc Çapja 44 vjeç, lindur në Elbasan”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, 44-vjeçari është me masë sigurie “arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në njoftim cilësohet se 44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve.

Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar Florenc Çapja është dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar, për vijimin e operacioneve policore me objektiv lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›