E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, KQZ informon zgjedhësit me qëndrim në Itali

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, për herë të parë do të kenë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës edhe shqiptarët që jetojnë jashtë.

Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ndau sot në rrjetet sociale një sqarim publik për zgjedhësit me qëndrim në Itali.

“Kur ngarkoni kartën italiane të identitetit, si dokument për të vërtetuar adresën, sigurohuni të skanoni dhe të ngarkoni faqen që përmban adresën e vendqëndrimit dhe jo faqen ballore të kartës së identitetit”, shkroi Celibashi.

Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar prej disa ditësh dhe sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën mbi 27 300.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 8455, e ndjekur nga Greqia me 6409, Gjermania me 4205, si dhe nga SHBA me 2465.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›