Votimi nga jashtë, Kaso: PS po kërkon ta kontrollojë procesin e regjistrimit

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Sekretari për Çështjet Ligjore pranë Partisë Demokratike, Ivi Kaso foli sot për regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa u shpreh se “Partia Socialiste është futur në një proces që synon ta kontrollojë”.
I ftuar në një studio televizive, Kaso theksoi se PD ka qenë forca që e ka shtyrë për t’u bërë fakt vota e emigrantëve shqiptarë dhe e ka kërkuar atë që në vitin 2012.
“PS është futur në një proces që në sy e faqe përpiqet ta mbështesë, por në fakt synon ta kontrollojë, siç është duke e kontrolluar deri në njëfarë mase me ato mekanizmat që ka”, tha ai.
Duke folur për regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, Kaso tha se problematika më e madhe është se pjesën më të madhe i kanë dokumente të skaduara.
Kaso theksoi se “600 mijë shqiptarë kanë dokumente identiteti biometrik të vlefshëm për t’u identifikuar në mënyrë të sigurt dhe nuk kanë mundësi ta rinovojnë”.
“Këtë e thotë ODIHR, jo PD”, tha Kaso, ndërsa u ndal edhe për shtetasit shqiptarë me dokumente biometrike të vendeve të tjera.
“Çdo shtetasi shqiptar me dokumente identifikimi biometrik t’i zgjatet vlefshmëria e dokumenteve deri pas zgjedhjeve. Çdo shtetas shqiptar që është në listën e zgjedhësve kanë marrë shtetësinë e një vendi tjetër dhe kanë pasaportë biometrike po aq të vlefshme, sa pasaporta jonë biometrike, të kenë të drejtën të votojnë. Ne nuk kemi hyrë në këtë proces për të bërë ndonjë negociatë politike që t’i japë avantazh në tavolinë PD-së”, tha Kaso.
/a.f/r.e/