E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votohet në parim buxheti 2012, opozita kundër

Kuvendi miratoi me 74 votat e maxhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2012 pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 14 orë.

Seanca nisi me diskutimin e kryeministrit, i cili theksoi se ky buxhet është në shërbim të qytetarëve.

"Rritja e rrogave dhe e pensioneve është qëllimi i parë më madhor i këtij buxheti. Kjo është një politikë konstante e kësaj qeverie, e paprecedentë ndonjëherë në histori, një politikë e cila ka bërë që nga viti 2006, në vitin 2012 rroga mesatare e shqiptarëve të rritet me 120 përqind, rroga minimale dhe pensionet minimale të rriten po me 120 përqind. Kjo politikë ka bërë që fatura sociale e kësaj qeverie, për të mbrojtur fytyrën e saj njerëzore, zemrën e saj të dhimbsur të rritet për pensionet nga 480 miliardë, në 1.040 miliardë", tha Berisha.

Opozita voti kundër draftit por më herët Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci, i ofroi qeverisë një marrëveshje për votim konsensual nëse ajo do të plotësonte disa kushte, ku i pari ishte ai per uljen e taksës për pagat e ulta.

“Të paguajmë ne më shumë dhe hiqja mësuesit policit, fermerit. Jeni dakord që TVSH-ja e bukës, miellit, qumështit, vezëve të kushtojë 17 përqind më pak sic ju kemi propozuar? Sot një litër naftë për fermerët shqiptarë blihet 1700-1800 lekë. Hiq TVSH-në për fermerët dhe për inputin e bujqësisë. Sot popullata paguan 20 % TVSH për energjinë elektrike, ule atë në 6 % dhe ne do votojmë buxhetin. Jeni dakord që të ngrejmë një komitet të përbashkët që të zgjidhim njëherë e mirë ccështjen e pronës. Ne jemi gati”, tha Gramoz Ruci.

Por qeveria nuk pranoi asnjë nga propozimet e opozitës. Kryeministri Berisha i cilësoi ato si një politikë të dështuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›