Votoni, ai ska arsye të qëndrojë!
Na u duk e largët, por sështë aspak e tillë, dita e zgjedhjeve, ajo ditë ku shqiptarëve ju duhet të largohen njëherë e mirë nga e shkuara që na është kthyer në të tashme, falë lojës së pisët e të stisur që u ruajt po në mënyrë perverse në vitin 2009. Na ndajnë pra më pak se 24 orë nga dita e zgjedhjeve, dhe për politikanët e zhytur kaq thellë në korrupsion, krim, vrasje e padrejtësi kanë filluar ethet. Ai që ka ethet më të mëdha e që mundohet ti kalojë me një gam gam style në Facebook. Nga ana tjetër mendon të fitojë zemrën e të rinjve në rrjetin social, por që gabohet rëndë, është padyshim Sali Berisha. Ne të rinjtë, jo vetëm që se qasim këtë plak të patakatshëm, por përkundrazi, për gjithçka të mbrapshtë e regresive që ai ka mbjellë në këtë vend në këto 22 vjet kërkojmë shpagim. Ne të rinjtë sot duam ti rikujtojmë anembanë Shqipërisë e mbarë shqiptarëve kudo ndodhen, se Sali Berisha, kjo figurë e gërryer fizikisht e moralisht, ka kaq shumë hesape për të larë me popullin e tij, saqë shporrja e tij nga karrigia ku ulet si kryeministër, do të jetë vetëm fillimi i fundit të tij. Por, përse Sali Berisha nuk duhet thjesht të shporret? Atëherë mos harroni se:
-Na vrau e rivrau
Historia e këtij të krisuri nis dhe vjen gjer në ditët e sotme me duar të përgjakura. Pas ardhjes së dyshimtë nga dyert e komunizmit në krye të Partisë Demokratike, ndërkohë që mbante në çantë teserën e Partisë së Punës e bashkë me të dhe urdhrat e dhënë për dënim me vdekje, arrin të bëhet President. Punët i çoi aq keq, saqë në vitin e zi 1997, nga rënia e piramidave vendin e çoi drejt luftës civile. Ato muaj të zinj për mbarë popullin tonë sdo të shqiten kurrë nga mendja e popullit, i cili u vesh me të zeza për faj të tij, i cili sduhet thjesht të shporret, por të paguajë haraçet një më një. Për të mos harruar marrëveshjet me serbët, të cilët po vrisnin popullin tonë, shqiptarët e Kosovës. Ai ishte më serb se vetë serbët në ato kohë të zeza për kombin tonë. Pas gjithë këtyre mynxyrave që i bëri kombit, populli i dha shuplakën e merituar në zgjedhje, por hija e tij su zhduk dhe si lugat u sorollat për 8 vite me radhë duke lehur e bërtitur siç e kanë për zakon të marrët. Sharrohet 14 shtatori i 1998 kur i marri hyri në Kryeministri me tank, pasi për të institucionet kanë qenë përherë tmerr, në qoftë se sjanë të uzurpuara prej tij. Pas lëngatash të shumta, në vitin 2005 vjen në pushtet, jo sepse ai fitoi, por ngaqë kundërshtari i tij humbi. Aferat e tij pas ardhjes në pushtet e gjer më sot u bënë dita ditës më vrastare. Mjafton të përmendim tragjedinë e Gërdecit ku 26 të pafajshëm humbën jetën e qindra të tjerë mbetën të gjymtuar. Dhjetëra familje u veshën me të zeza përjetësisht e kjo, falë biznesit të djalit të babit. Asnjë përgjegjës su dënua për këtë masakër. Vrasja për familjet e Gërdecit u ribë me vendimet e njëpasnjëshme të gjykatave në disfavor të tyre e në mbështetje të Familjes. I vetmi dëshmitar që tentoi të fliste për lidhjet e të birit më këtë makineri vrastare, vdiq çuditërisht në malet e Korçës ku kish vajtur për gjah. Kjo ish një tjetër vdekje krejt e pazakontë, e pakuptimtë, pasi vetëm një zot e di si mund të bësh aksident në një mënyrë të tillë siç i ndodhi të ndjerit Kosta Trebicka. Po flasim pra vetëm në rrafshin e tragjedive të mëdha pasi internimet dhe vrasjet nga keqqeverisja janë të panumërta e gati- gati si në një bilanc lufte. E fundit fare, por jo për nga rëndësia, ishte vrasja në tempullin e lirisë, në mes të sheshit e katër demonstruesve, katër baballarëve, katër hallexhinjve, katër të varfërve që kishin dalë të kërkonin pakëz shpresë e përfunduan duke lënë të pashpresë dhe vetë familjet e tyre. Kjo ish më e rënda, ish më e papranueshmja nga të papranueshmet, më tmerruesja nga makabret që ka pjellë pambarimisht kjo figurë e gërryer nga brenda e jashtë. Për të gjitha këto, Sali Berisha smeriton vetëm të zhduket një orë e më parë nga zyra ku qëndron, por shumë më shumë. Duhet dënuar me ligjin e grupit kriminal. Ne, të rinjtë në moshë e ide, në gjykim e botëkuptim, sdo ja falim kurrë ndaj, dënimi fillon me votë masive kundër tij nesër!
-Na vodhi e na shiti
Krahas masakrave të bëra në jetën e popullit të tij, ai smundi të rrinte as pa u vetëpasuruar po në kurriz të popullit. Populli nga ai është përdorur vetëm si instrument prej nga ku mund të pasurohej e pasurohej jo vetëm ai, por dhe vetë familja e tij biologjike e ajo politike. Kjo duket qartë në çdo shitje të pasurive kombëtare, në çdo marrëveshje për shitje pasurish ku, klientët e tij merrnin githçka me konkurrencë zero. Që nga tenderët më të thjeshtë e gjer tek ata më të kamurit, sekserët dhe klientët e tij bënin kërdinë. Rastet janë që nga Albpetrol e gjer tek minierat e vdekjes ne Bulqizë. Janë këto miniera që mund ta kthenin jetën e këtij komuniteti në një minierë ari e në të vërtetë, pazaret e këtij plaku e kanë kthyer në minierën e vdekjes. Punohet pa asnjë lloj rregulli, pasi rregullat e lojës i di vetëm AY. Ishte po Sali Berisha që bëri paktin e detit me Greqinë, e që për fat të mirë falë një opozite të fortë e ndërgjegjes juridike, u arrit që për momentin kjo mesele e gatuar nga i lajthituri, të pushohej. Se çbën poshtë tavolinës, akoma sdihet. Janë të panumërta denoncimet që bëhen nga opozita për afera të tjera stratosferike, për miliarda euro të dala nga vendi në llogari të Familjes Berisha por, siç di të bëjë një diktator në largim, ai vijon me gjuhën e presioneve. Vendos gjoba pse thuhet e vërteta, vret pse kërkohet e drejta. Vodhi vullnetin e popullit, vodhi zgjedhjet në mes të ditës e kjo për një qëllim shumë të thjeshtë; që të vazhdojë të vjedhë Shqipërinë.
-Rikrijoi historinë sipas parimit: asht si them unë, m’nigjo mue
Një popull që sdi historinë e tij, është i destinuar të vdesë. Ne festuam 100 vjetorin e shtetit shqiptar, i cili për fat të keq, përpos përdhosjes se flamurit kombëtar, u kthye në një ankand të shëmtuar librash me synim zhbërjen e historisë e rishkrimin sipas pikëpamjeve tejet të rëndomta. Të gjithë e dinim se historia jonë ka figurat e saja të gdhendura me shkronja të arta ne historinë e kombit, por u vendos që ari ti kthehej tradhtarëve. Hyjnizimi i figurës së Ahmet Zogollit dhe lënia në hije e dëshmorëve që u vranë në luftë për atdhe, ishte akti final i lajthitjes së Sali Berishës. Ndoshta ai jo pa qëllim hyjnizon figurat e tradhtarëve, pasi i tillë do jetë dhe ai në faqet e historisë, por për një komb kjo është mbjellje fyerje e rëndë, është vrasëse. Historia nuk është ajo që neve na pëlqen të shkruajmë, por ajo që faktet na detyrojnë të tregojmë ndaj, të gjitha përrallat plaku mbi shumëçka ka tentuar të shkarravisë, do mbeten thjeshtë, përralla.
E pra, janë të gjitha këto e shumë e shumë të tjera që ne ndoshta si dimë, që na shtyjnë të mendojmë se jo, Sali Berisha nuk meriton thjesht të shporret nga vendi ku qëndron kapardisur, por meriton që paskëtaj të njohë drejtësinë dhe forcën e vërtetë të ligjit.
