Vrasja e 33-vjeçarit në Shkodër, zbardhet ngjarja, arrestohet autori i dyshuar dhe tre bashkëpunëtorë

Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të njësisë administrative Postribë.
Burimet bëjnë me dije se 4 persona janë arrestuar.
Njëri dyshohet autori kryesor, ndërsa tre të tjerët bashkëpunëtorë.
Siç mëson gazetari i Vizion Plus, Bepin Kolvata, njëri prej personave është kapur në kufi duke tentuar që të largohet nga Shqipëria.
Ramazan Mataj u gjet i vrarë brenda automjetit të tij më 5 janar 2025. Sipas grupit hetimor, të riut ju zu pritë afro 2 km larg banesës së tij. Kanë qenë banorët e zonës ata të cilët kanë konstatuar trupin e pajetë të Matajt dhe më pas kanë njoftuar policinë.
Policia ka përjashtuar mundësinë që vrasja e 33-vjeçarit të jetë e lidhur me veprimtari të paligjshme, pasi Mataj nuk rezulton person me precedent penal as në Shqipëri e as jashtë vendit.
Sipas burimeve policore, një nga pistat kryesore që po shqyrtohet është ajo e një konflikti personal.
Si provë materiale është sekuestruar telefoni i viktimës, për të mësuar itinerarin e tij, para se sa të vritej dhe ndonjë telefonatë apo mesazh që mund të ketë marrë në këto orë.
Vetë babai i viktimës dhe të afërmit që janë marrë në pyetje kanë mohuar të kenë konflikte me njeri dhe nuk kanë dijeni mbi ndonjë emër të mundshëm që mund të ketë kryer krimin./vizionplus.tv