Vrasja e 50 të burgosurve, Ukraina: Krim lufte, OKB dhe Kryqi i Kuq duhet të hetojnë

Ukraina ka kërkuar që Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq të lejohen të hetojnë vdekjen e më shumë se 50 të burgosurve ukrainas të luftës në një sulm në territorin e pushtuar. Kryqi i Kuq tha se po kërkon qasje në burg për të ndihmuar në evakuimin dhe trajtimin e të plagosurve. Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulmin e kampit ku mbaheshin të burgosurit.
Saktësisht çfarë ndodhi në kampin e burgut në Olenivka, i cili kontrollohet nga Republika Popullore e vetëshpallur e Donetskut (DNR), e mbështetur nga Rusia, mbetet e paqartë.
Ukraina thotë se vendi ishte në shënjestër të Rusisë në një përpjekje për të shkatërruar provat e torturës dhe vrasjeve. Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi incidentin si një “krim lufte të qëllimshme rus”.
Nga ana e saj, Rusia tha se kampi u godit nga raketa precize ukrainase.
Në burg ishin anëtarë të batalionit Azov, të cilët u kapën duke mbrojtur qytetin jugor të Mariupolit në maj dhe të cilët Rusia ka kërkuar t’i përshkruajë si neonazistë dhe kriminelë lufte.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmi ishte kryer me artileri Himars të prodhuar nga SHBA dhe akuzoi Ukrainën për një provokim “të kryer qëllimisht”.
Por Ukraina mohoi se ishte kryer ndonjë sulm me raketa apo artileri. Një këshilltar i presidentit Zelensky tha se skena dukej si zjarrvënie dhe se një sulm me raketa do të kishte shpërndarë trupat.
Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës i bëri thirrje OKB-së dhe Kryqit të Kuq që të hetojnë vdekjet, duke pretenduar se Rusia kishte vënë në shënjestër kampin për të mbuluar trajtimin e saj ndaj të burgosurve.
Prokurori i ri i Përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin tha më herët se kishte hapur një hetim për krimet e luftës për shpërthimin./ BBC
/rtsh.al/