E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Dorzit, hetuesit pyesin të afërmit

Hetuesit kanë rimarrë deklarimet e të vrarit të dhëna në atentatin e mëparshëm të dështuar ndaj tij në nëntor


Të afërmit e Dorzit, kanë pohuar se nuk kanë qenë në dijeni të konflikteve të njeriut të tyre


TIRANE- Policia e kryeqytetit ka marrë në pyetje të afërmit e Shkëlqim Dorzit, për të dhënë versionin e tyre në lidhje me konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur njeriu i tyre, të cilat edhe kanë çuar në ngjarjen e rëndë të të dielës pasdite kur ai mbeti i vdekur.


Ndërkaq, veç deklarimeve të të afërmëve në lidhje me versionin e mundshëm të krimit ndaj tij, policia ka rimarrë ndërkaq edhe deklarimet e dhëna nga viktima në muajin nëntor të vitit të kaluar fill pas gjetjes nën karrocerinë e kamionit të tij, një sasi prej 750 gramë lëndë plasëse C4 që ishte mbledhur me qese natribani.


Lënda plasëse ishte llogaritur të shpërthente në mometin kur mjeti do të ngrite karrocerinë e për të kryer shkarkimin e lëndës që mund të transportonte.


Qëllimi i rishikimit të deklarimeve të Dorzit në rastin e atentatit të dështuar ndaj tij në muajin nëntor, sipas burimeve të policisë, është gjetja e elementëve të mundshëm që mund të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e ngjarjes së rëndë të të dielës.


Ndërkaq, të afërmit e viktimës, në deklarimet e tyre për hetuesit zyrës së Hetimit të Vrasjeve të policisë së Tiranës, kanë pohuar se nuk kishin dijeni mbi shkaqet e mundshme të krimit ndaj njeriut të tyre.


Po kështu ata mësohet se kanë pohuar se nuk kishin dijeni mbi konfliktet e mundshme që mund të kishte pasur Shkëlqim Dorzi i njohur gjithashtu edhe me emrin Ramazan. Këto deklarime nuk e kanë çuar aspak ujin në mullirin e policisë për zbardhjen vrasjes së ndodhur të dielën në mbrëmje, në qendër të Yzberishit.


Ndërkaq, sa i përket analizimit së atentatit të muajit nëntor, për të gjetur elementë të vlefshëm për hetimin, specialistët kanë mbetur të zhgënjyer për shkak se viktima Shkëlqim Dorzi, në rrëfimin e tij për hetuesit në muajin nëntor nuk ka pranuar të japë sqarime mbi konfliktet e mundshme ndaj tij. Edhe për këtë dosje në atë kohë, është punuar nga ekspertët zyrës së hetimit të vrasjeve.


Pavarësisht këmbënguljes së tyre tek Dorzi për të marrë dhe zbuluar autorësinë e mundshme, të atentatit ndaj tij, ai pati këmbëngulur në të tijën se nuk kishte pasur konflikte apo përplasje. Të kundërtën sipas policisë, tregonte e kaluara e tij, ndërsa policia tashmë po punon me provat e pakta të mledhura në vendin e vrasjes.


Aty ekspertët e policisë kanë administruar së paku dy gëzhoja pistolete, të cilat janë dërguar për ekzaminimet e zakonshme balistike pranë Institutit të Policisë së Shtetit.


Përgjigjja e tyre pritet të mbërrijë gjatë ditës së sotme nëse ato janë të regjistruara apo jo. Kjo do të bënte që t'i jepej një drejtim hetimit të kësaj ngjarjeje e cila ka si pistë atë të hakmarrjes. Gjithsesi edhe pse policia ka këtë pistë ajo ende nuk ka dyshime konkrete mbi personat e mundshëm që mund të kenë kryer krimin.


Ndërkaq, veç atentatit të dështuar të nëntorit, Dorzi, i ka shpëtuar edhe një atentati të ndodhur në vitin 2006, kur mbeti i vrarë Festim Hoxha dhe taksisti Thoma Bimo. Sipas policisë, në këtë ngjarje Dorzi mori 4 plagë të rënda në trup por që për fat arriti të mbijetonte.


Rëndohet një nga vëllezërit e plagosur në "Ali Demi"


Një nga vëllezërit Allmuça, të plagosur të dielën në lagjen "Ali Demi", ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra me thikë nga i dyshuari, Erjon Duda.


Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët pohuan se gjendja e njërit prej vëllezërve është rënduar për shkak të plagëve të marra tri ditë më parë.


Të njëjtat burime, pohuan se deri më tani vetëm një nga vëllezërit është aktualisht jashtë rrezikur për jetën ndërsa vëllai tjetër ende nuk ia ka hedhur.


Ndërkaq dy ditë më parë, në spitalin ushtarak, ndërroi jetë Fatjon Çela, kushëri i vëllezërve Taulant dhe Klodian Allmuça. Të tre ata mbetën të plagosur rëndë në një lokal, në lagjen "Ali Demi", për shkak të një konflikti që kishte disa ditë më parë në një nga pabet e kryeqytetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›