KQZ, 500 qendra votimi në ambiente private
Akt-vendimi, që pritet të miratohet sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet të shkaktojë kundërshtimin e përfaqësuesve të majtë
TIRANË- Pavarësisht këmbënguljes së opozitës për të evituar në maksimum vendosjen e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të tretat në ambiente private, një numër i konsiderueshëm i tyre pritet të ngrihen pikërisht në lokale apo zyra në pronësi jopublike. Bëhet fjalë për 500 KQV (Komision i Qendrës së Votimit) të cilat do të ngrihen në ambiente jopublike.
Një shifër të tillë e përmban akt-vendimi, që pritet të miratohet sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e pasdites, ç'ka pritet të shkaktojë edhe kundërshtimin e përfaqësuesve të majtë, të cilët në vijimësi kanë shfaqur si shqetësim ngritjen jo vetëm të KQV-ve, por edhe të KZAZ-ve në ambiente jo publike.
E ndërsa në rastin e KZAZ-ve, KQZ-ja dhe drejtuesit vendor kanë qenë deri diku të detyruar të marrin ambiente private në përdorim për shkak se për to kërkohen hapësira të konsiderueshme, në rastin e KQV-ve një argument i tillë nuk qëndron, kjo pasi ato mund të funksionojnë në ambiente me hapësira më të vogla dhe që gjenden me shumicë në të gjithë territorin e vendit, si në shkolla, kopshte, qendra kulturore etj.
Neni 93 i Kodit Zgjedhor përcakton se vendndodhja e qendrave të votimit, selive të KZAZ-ve dhe Vendeve të Numërimit të Votave, për aq sa është e mundur, krijohen në ndërtesa publike me hyrje të lirë.
Qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave nuk mund të krijohen në ndërtesa private, pa autorizimin e veçantë të KQZ-së dhe në ndërtesa që përdoren nga administrata publike, me përjashtim të institucioneve arsimore, kulturore dhe shëndetësore, ose në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi, pjesërisht ose tërësisht, të një partie politike apo kandidati ose të afërmve të tij.
Zona e qendrës së votimit duhet të jetë brenda një territori kompakt dhe të pashkëputur gjeografik dhe numri i zgjedhësve për çdo qendër votimi nuk duhet të jetë më i vogël se 150 dhe më i madh se 1000 zgjedhës.
Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, jo më vonë se afati i përcaktuar 20 ditë nga dita e zgjedhjeve në rast se një zonë qendre votimi ka më shumë se 1000 zgjedhës, vendos krijimin e një qendre votimi shtesë brenda së njëjtës zonë.
Kryetari i njësisë përkatëse, në zbatim të udhëzimeve të nxjerra nga ministri që mbulon pushtetin vendor, bën ndarjen e listës së zgjedhësve në dy pjesë me numër përafërsisht të barabartë zgjedhësish dhe që përfshin në një qendër të vetme anëtarët e së njëjtës familje.
Në këtë rast qendra e re e votimit ngrihet, për sa është e mundur, në të njëjtën godinë me qendrën ekzistuese të votimit dhe numërtohet sipas sistemit unik kombëtar të numërtimit të qendrave të votimit.
Ndërkohë në rast se një zonë qendre votimi ka më pak se 150 zgjedhës, vendos që ajo t'i bashkohet zonës së qendrës së votimit më të afërt dhe me mundësi komunikimi rrugor.
Si rregull, qendra e re e votimit nuk është më larg se 5 km nga vendbanimi i zgjedhësit. Vendndodhja e qendrës së votimit caktohet në të njëjtën adresë me atë të zgjedhjeve të fundit, me përjashtim të rastit kur për arsye objektive kjo nuk është e mundur.