Vrasja e Dritan Lamajt/ Familjarët e Enver Stafukës: E keqtrajtuan, i premtuan 30 mijë euro për të treguar emra
Enver Stafuka nga komuna Nikël e Krujës akuzohet si bashkëpunëtor në vjedhjen e një makine që është përdorur nga atentatori i kryekomisar Dritan Lamajt në Tiranë.
Hetuesit këmbëngulin se kanë vërtetuar që telefoni i Enverit natën e grabitjes ka bërë të njëjtin itinerar me telefonin e të zotit të makinës së vjedhur në Durrës si dhe me telefonin e Gentjan Bejtjes, i cili gjithashtu është arrestuar nga policia.
Familjarët e Stafukës pretendojnë se ai është rrahur brutalisht nga policia, aq sa vëllai i tij e ka sjellë në krah në shtëpi.
Nuk u ngrit dy javë nga krevati, tregon e shoqja.
Sipas të vëllait, një prokuror i Krimeve të Rënda i ka premtuar atij 30 mijë euro për të thënë emra.
Kam qenë në kafe në Tiranë. Veri ishte ulur me një prokuror të Krimeve të Rënda, mos ma kërko emrin se nuk ta them. Unë isha në tavolinë më vete kur prokurori i tha: Ke 30 mijë euro, vetëm më thuaj emrat e përfshirë në ngjarje. Më pas ik ku të duash, thekson Naim Stafuka për Shekullin./A.XH