E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e Jan Prengës, Dritan Rexhepi dëshmon në GJKKO: S’kam lidhje me ngjarjen. Në atë kohë isha në burg në Ekuador

Dritan Rexhepi, i akuzuar si urdhëruesi kryesorë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, ka dëshmuar për herë të parë sot përpara Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Në deklaratën e tij, Rexhepi theksoi se në atë periudhë ndodhej jashtë Shqipërisë, duke vuajtur një dënim në burgun e Ekuadorit për trafik droge.

“Kam qenë i dënuar me 13 vite. Në atë periudhë, kisha pesë vite e katër muaj që po vuaja dënimin,”  deklaroi ai, duke shtuar se çdo kontakt me jashtë e kishte përmes kabinës telefonike të burgut dhe se nuk kishte asnjë dijeni për ndonjë vjedhje droge apo për ngjarjen që ndodhi në Shqipëri.

Rexhepi mohoi çdo lidhje me persona të përmendur në dosjen hetimore, përfshirë Gentian Docaj (i njohur si Funiqi), Martin Bleta dhe Korado Gështenja, duke deklaruar se disa prej tyre nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. Sipas tij, edhe dokumentet e sjella nga avokatja vërtetojnë se nuk ka pasur kontakte apo afërsi me këta individë.

“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do me pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj qe vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjell avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri. Kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzohesha për diçka qe kishte ndodhur në Shqipëri”, ka thënë Rexhepi.

I arrestuar në Stamboll më 10 nëntor 2023, Dritan Rexhepi u ekstradua në Shqipëri më 8 janar 2025 dhe ndodhet aktualisht në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie. Ngjarja për të cilën po gjykohet ndodhi më 17 janar 2020 në Kamëz, ku Jan Prenga, u rrëmbye dhe u zhduk në një resort në pronësi të Altin Hajrit, emër i lidhur me botën e krimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›