E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nazarko Podcast, Alibeaj: Është koha e ideve, e përulësisë dhe e përgjegjësisë

“Kjo është një nga tragjeditë politike të Shqipërisë postkomuniste: që asnjë forcë politike, asnjëherë, nuk e mori me seriozitet të thellë çështjen e pronës, jo vetëm si një e drejtë individuale, por si një kolonë vertebrale e një shoqërie të lirë, të drejtë dhe të zhvilluar ekonomikisht. Sepse pa zgjidhur pronën, nuk ke siguri, nuk ke investim, nuk ke ekonomi tregu funksionale — dhe për pasojë, nuk ke as demokraci të mirëfilltë.”

Në “Nazarko Podcast” vjen Enkelejd Alibeatj, një qasje ndryshe në të qenit i djathtë. Përballë Nazarkos, ai  shfaqet si një zë reflektiv, kritik dhe për herë të parë — tërësisht i distancuar nga e kaluara politike e Partisë Demokratike. Ai pranon me një lloj ndershmërie që është e rrallë në politikën shqiptare se edhe vetë ka qenë pjesë e sistemit që sot e kritikon. Por e bën këtë pa u larë duart, përkundrazi, e sheh si një detyrim moral të mos e fshehë përgjegjësinë që i takon.

Ajo që bie në sy është qartësia ideologjike që Alibeaj kërkon t’i japë kësaj nisme të re politike — që të jetë e djathtë, jo vetëm në emër, por në thelb: në parime, në filozofi, në mënyrën e të ndërtuarit të shtetit dhe të raportit me qytetarin. Ai e pranon që “shtëpia e re e të djathtës” është ende në ndërtim, por e sheh si domosdoshmëri historike, si një korrigjim të vonuar, por të pashmangshëm.

Në fund të fundit, e djathta shqiptare, që për 30 vite u fsheh pas emrit të një njeriu dhe jo pas një ideje, ka nevojë të rilindë mbi themele të tjera. Dhe nëse kjo është përpjekja e parë serioze drejt asaj rilindjeje, atëherë ajo duhet ndjekur me vëmendje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›