Vrasja e ëmbël e natyrës

Pikturë në vaj nga Shpëtim Kërçova
Elsa Demo
Shpëtim Kërçova merr pjesë në ekspozitën e arteve pamore Onufri 2011 me tri punë Pa titull. I përkasin serisë me nëntë tablo e realizuar në vitet 1999-2001. Nuk janë fare të panjohura. Kuratori Alban Hajdinaj i ka zgjedhur konform idesë së Bodlerit mbi pikturën e jetës moderne. Me siguri që konsumi dhe vaniteti prej tij është një prirje rezistueshme e jetës moderne e kapur në art me mjetet maksimale deri në lodhje.
Gratë janë personazhe në dy tablotë e mëdha. Të kapura e të varura pas torbave të pazarit, me pallto apo triko, me shaje pas koke e rreth gushe dhe modele flokësh demode, gra që ka lënë kuzhinën apo dhomën e ndenjjes për tu kthyer prapë aty, gra që nuk i ka vënë akoma poshtë pesha e të ngrënit dhe të ushqyerit të të tjerëve si detyrë. Në njërën tablo gratë janë gojëqepur, në tjetrën u ka shpëtuar një e qeshur. Tabloja e tretë, në vaj dhe ajo, personazh është një qen lebros skeletik i vetmuar.
Nuk ka rëndësi fare se çfarë shfaqet në tablotë e Kërçovës, sepse ndodh që kuadri të zbrazet fare, objekt të jenë muret e bardhë të studios, siç ndodh në serinë Dhoma me kënd të hapur. Nëse shfaqet një reaksion në kuadrin e bardhë, – si dëshira për të mos folur e për tia hedhur gjuhën maces – ajo është një figurë e parëndësishme, lodra fëmijësh apo një qendër e imtë floreale. Ka gjithnjë një skenë rrëzimi, thotë artisti kur po shpjegon se si lind një punë nga një punë. Si në realizmin abstrakt të kuadrove të zhveshur, edhe në peizazhet me ujëra që ia gjetëm në proces, piktura e Kërçovës është në gjendje të të shqetësojë edhe trazojë më fort se një dramë e mirëshpjeguar që i rri besnike realitetit. Vrasja e natyrës dhe tradhtia e realitetit real, edhe në rastet kur piktori merret me gjallërinë e jetës siç shfaqet në njërën nga tablotë në Onufri, ndodh nëpërmjet ironisë dhe teknikisht me mjete minimale të pikturës.
Kundrim inteligjent i botës që ruan freskinë. Është ky vështrim që i bën njerëzit të pabarabartë, artistët ca më shumë.
Nuk u nisa që të jem kritik ndaj fenomenit por të ndiqja një proces që është një përqasje ironike ndaj konsumit me mjete fare bazike të pikturës.
Si është ky proces i Shpëtim Kërçovës? Bëmë dy copëza bisede jashtë dhe brenda studios, pikërisht për teknikën e realizimit të dy cikleve, njëri i Onufrit, dhe tjetri Natyra të qeta të sheshta në stilin e barokut flamand ekspozuar në personalen 2010 në Galerinë Zeta.
Nga rruga
Kur janë realizuar tri punët që prezantoni në Onufri?
Janë pjesë e një serie që është filluar më 1999. Një pjesë do ta shohim në studio. Njëra është përfaqësuar në çmimin Muslim Mulliqi në Prishtinë. Tjetra është prekur më vonë sepse kam menduar që puna ka pasur nevojë. Kjo shquhet shumë nga e qeshura. Personazhet-gra janë marrë nga rruga. I kam fotografuar.
Jeni bazuar në fotografimin?
Jam bazuar te fotografitë, pastaj puna në studio ka qenë renditja dhe vendosja për të krijuar një kompozim. Aty nuk ka ndonjë rend perspektive. Edhe personazhet e mëdhenj, edhe të vegjël janë gati në të njëjtin plan. Është një lojë me thellësinë. Në pikturë janë disa elemente shumë të rëndësishëm për mua: sipërfaqet e sheshta dhe problemet e thellësisë.
Elementi njerëzor është e qeshura, përse duhej shtuar?
Jo gjithmonë punohet me një logjikë racionale. Ka gjëra që janë impulse të panjohura. Thjesht po më pëlqente, duke i parë vazhdimisht në shtëpi, se kemi fatin dhe që… nuk na i blen njeri punët (qesh). Duke i parë, ndjeja që kishte nevojë për një goditje. Janë ca gjëra me shumë rëndësi për mua e që hyjnë tek pjesa instiktive e të krijuarit.
Dikush thotë që kjo e qeshur të kujton të qeshurën e realizmit socialist. Një autor tjetër thotë që e qeshura është mirë që të mos bëhet në pikturë, sepse supozohet që e qeshura është fotografike, është një moment. Ndërsa piktura supozohet që kap më shumë se një moment.
Si do ti përgjigjeshit dikushit?
Që më erdhi ti bëja për të qeshur dhe i bëra të qeshura. Kur i shikoja në mëngjes më jepnin impuls. Më duket se kaq ishte.
Megjithatë realiteti, në këtë rast, është burimi…
Është e vërtetë që ato e marrin spunton nga realiteti, kryesisht nga rruga. Imazhet janë personazhe realë, njerëz të zakonshëm.
Përse të gjitha janë femra?
Është një lidhje biologjike me femrën. Mund të jetë mamaja, gruaja, e dashura ose thjesht fakti që përgjithësisht femrat i shikoja të ngarkuara me ato trastat. I kam fotografuar në rrugë pa u rënë në sy. Fotot nuk kanë rëndësi, janë budallaqe, idiote, çfarë ka kapur aparati. Janë bërë në zonën Avni Rustemi. Kam përshtypjen që i gjen kudo.
Personazhet ndodhen në gjendje të papërcaktuar: janë nën peshën e torbave, kanë krijuar një lidhje varësie, iu është bërë një gjë e domosdoshme, po pse kanë një gëzim angari në fytyra?
Ja ku dolëm te një element i rëndësishëm: pesha. Unë doja ta jepja, ta theksoja peshën qoftë edhe fizikisht. Çdo njeri mban një peshë. Ato trastat kthehen dhe në një simbolikë ndoshta, tregojnë diçka direkte, por nuk tregojnë një gjë vetëm. Nga një vepër smund të nxjerrësh një përfundim të vetëm.
Dikush do thoshte ky është raporti që krijon artisti me fenomenin e konsumit, megjithëqë kaq do ishte e pamjaftueshme.
Përgjithësisht artistët kanë qenë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni të konsumit. Por unë jam përpjekur që të mos jetë kjo gjëja që godet e para. Në fillim ngrihet një imazh, pastaj punon mbi të, hedh provat e para, del për të mbledhur materialin, kujtesën dhe kthehesh në studio për realizimin, ndërtimin, të kompozuarit, krijimin e atmosferës.
Kujtesën?
Fotot janë një lloj kujtese, ato më shërbejnë që kur rri në studio ta kem më të lehtë materialin, sikur të dilja të bëja skica në natyrë.
Kujtesa jo-mekanike çrol ka ajo?
Natyrisht që ka një rol. Them se këtu marrin pjesë shtresëzimet e memories dhe të eksperiencave që çdonjëri nga ne ka. Ato nuk dalin në mënyrë lineare, herë-herë në forma të turbullta, të ndërthurura.
Një pjesë të kohës punoni në Akademi?
Në vitin e parë, ku mësohen bazat e përgjithshme të artit dhe dizajnit. Jap mësim kompozimin, teorinë e fushës.
Duket se të njëjtin fat si studentët pas shkolle kanë edhe pedagogët, nuk mund të jenë artistë të lirë financiarisht.
Është një gjë për të gjithë. Të rezistosh si artist në këtë vend është gati e pamundur. Duhet të bësh një punë që të mundesh të suportosh punën kryesore. Për studentët është shumë e vështirë. I vetmi moment i mirë i tregut është grafik dizajni që thith një pjesë të mirë të studentëve që dalin nga shkolla. Duhet ti mëshojmë më shumë edukimit të grafik dizajnit, duhet një gjë më e mirë. Një edukim i mirë estetik në shkollë, do ishte më pozitiv.
Në studio
Në korridoret që lidhin dhomat e vogla të shtëpisë ku banojnë artistët Shpëtim Kërçova dhe Silvana Nini (Nini është fituese e Onufrit 2002) është varur pjesa tjetër e tablove Pa titull që mund të quheshin ndryshe Shopping ose Ditë pas dite. Në studio p