E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, SPAK: Thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit  (SPAK) dënoi sot me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në një njoftim për shtyp, SPAK i shpreh ngushëllimet familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm.

Gjithashtu, SPAK shpreh solidaritetin me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.

SPAK thekson se ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme.

Ngjarja e rëndë ndodhi sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u qëllua me armë zjarri ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili për pasojë ka humbur jetën. Nga të shtënat janë plagosur gjithashtu dy persona të tjerë, palë në një proces gjyqësor.

Edhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin
e Organizuar shprehu me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja.

“Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë
me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja. Humbja e një përfaqësuesi të
drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe
për shoqërinë shqiptare në tërësi”, thuhet në reagimin për shtyp të GJKKO-së.

Ngjarja e sotme, sipas GJKKO-së, është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë.

“Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e GJKKO-së.

Ky akt kriminal, sipas GJKKO-së, “është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës”.

“Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur”, përfundon reagimi i GJKKO-së për ngjarjen.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›