Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Sulo: Dështimi i Reformës pranohet edhe nga gjyqtarët e prokurorët

Analisti Arion Sulo ka reaguar me tone të forta pas vrasjes tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke e cilësuar si pasojë të drejtpërdrejtë të “reformës së dështuar” në drejtësi.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Sulo argumentoi se reforma jo vetëm që nuk ka zhdukur korrupsionin, por ka krijuar një sistem ku marrja e drejtësisë është bërë pothuajse e pamundur. Sipas tij, sot sistemi i drejtësisë është më i korruptuar dhe më i paralizuar se kurrë.
“SPAK është një diskutim më vete. Edhe gjyqtarët e prokurorët e pranojnë: reforma ka dështuar. Nuk është SPAK reforma, sepse kemi 40 mijë çështje të pashqyrtuara. Pyeteni popullin në rrugë – të gjithë thonë: ‘Mos të rëntë halli të shkosh në gjykatë’. Ky rast trondit themelet e shtetit. Nuk është thjesht një goditje ndaj një shtylle të tij, por një ilustrim i qartë i asaj që po ndodh me drejtësinë dhe reformën. Ne prisnim zgjidhje, por reforma ka ngecur”, tha Sulo.
Sulo theksoi se kriminalizimi nuk është rastësor, por i ndërtuar mbi një model ku “i forti” dhe pushteti kanë marrë kontrollin e sistemit. Ai përmendi se mbi dhjetë gjyqtarë kanë qenë të përfshirë në çështjen që solli konfliktin fatal, duke e cilësuar si një pasqyrë të zymtë të gjendjes aktuale.
“Ne si shoqëri kemi pranuar të keqen, e kemi bërë standard, jemi kriminalizuar. E ka kriminalizuar modeli i të fortit, pushteti lokal që ja ka dhënë atij. Janë mbi 10 gjyqtarë që kanë marrë pjesë në atë çështje. Kriminalizimi i shoqërisë mbi modelin e politikës”, tha ai.
/rtsh.al/