E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagimet e politikës: Më shumë siguri për togat e zeza

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Politika shqiptare ka reaguar ashpër ndaj vrasjes së gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i cili u sulmua me armë në sallën e gjyqit.

Ngjajra ndodhi rreth orës 15:40, pak sekonda pasi gjyqtari ka lexuar verdiktin e tij, kur autori, 30-vjeçari E. Sh ka nxjerrë pistoletën dhe ka shënjestruar gjyqtarin, i cili po largohej nga salla, ndërsa ka plagosur dhe dy persona të tjerë nga pala tjetër në gjyqë.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se qeveria do të mbështesë të gjitha nismat që rrisin sigurinë e togave të zeza. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se duhet të merren masa për rritjen e sigurisë së brendshme të prokurorive dhe gjykatave, teksa shtoi se do kërkohet me urgjencë ashpërsimi i politikës penale kundër armëmbajtjes pa leje.

Balluku: Precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sulmin vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, e cilësoi si një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike

“Lajmi për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në sallën e gjyqit, ku gjyqtari Kalaja humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, është tronditës. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, kolegëve dhe gjithë trupës gjyqësore për këtë humbje të madhe. Kjo ngjarje përbën një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike, si dhe një sulm të papranueshëm ndaj shtetit të së drejtës. Dhuna ndaj përfaqësuesve të drejtësisë është dhunë ndaj vetë drejtësisë dhe ndaj themeleve të demokracisë sonë”, u shpreh Balluku. “Kjo tragjedi duhet të shërbejë si thirrje urgjente për forcimin e mëtejshëm të masave ligjore dhe penale, veçanërisht në lidhje me armëmbajtjen dhe kontrollin rigoroz të sigurisë në institucionet e drejtësisë”, vijoi ajo. “Qeveria është e vendosur të mbështesë çdo nismë ligjore dhe institucionale që synon të parandalojë përsëritjen e akteve të tilla dhe të garantojë që drejtësia të ushtrohet në siguri të plotë. Ngushëllime të sinqerta familjes Kalaja. Kujtimi i tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit ndaj drejtësisë dhe shërbimit publik”, nëvizoi Balluku.

Balla: Ashpërsim i politikës penale kundër armëmbajtjes pa leje

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot lidhur me ngjarjen e ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy persona të tjerë.

Duke dënuar agresionin kriminal të ndodhur sot, Balla i shprehu ngushëllimet ngushëllimet familjes së të ndjerit Astrit Kalaja.

“Ngjarja e sotme kërkon me urgjencë ashpërsimin e politikës penale kundër armëmbajtjes pa leje. Gjithashtu duhet të merren masa për rritjen e sigurisë së brendshme të prokurorive dhe gjykatave”, tha Balla.

Gogu: Një sulm ndaj drejtësisë, autori të vihet menjëherë para ligjit

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku u vra gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ndërsa ishte në krye të detyrës.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin tronditës për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, zotin Astrit Kalaja, në krye të detyrës. Ky akt i rëndë nuk është vetëm një tragjedi personale, por një sulm ndaj vetë drejtësisë dhe rendit që mban shoqërinë tonë të bashkuar,” u shpreh Gogu.

Gogu i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë komunitetit të drejtësisë, ndërsa kërkoi që autori të arrestohet dhe të përballet menjëherë me ligjin.

“Dënimi duhet të jetë i pashmangshëm. Asnjë shërbëtor i ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur në përmbushjen e misionit të tij”, theksoi Gogu.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›