E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e kryekomisarit, Nishani: Akt i rëndë kriminal

Kreu i shtetit Bujar Nishani i ka shprehur sot ngushëllimet familjes së kryekomisarit Adem Tahiri i cili u vra dje në krye të detyrës. Në mesazhin e tij drejtuar familjes Tahiri, presidenti Nishani thekson se rënia në krye të detyrës i Ademit është një humbje e madhe për familjen, por edhe për kolegët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi.
 

Kreu i Shtetit e konsideron vrasjen e Kryekomisarit Tahiri një akt të rëndë kriminal ndaj forcave të rendit që me përkushtim dhe disiplinë punojnë për garantimin e rendit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.
 

“Shpreh bindjen e thellë se pavarësisht egërsisë dhe pabesisë që mund të shfaqin krimi dhe kriminelët, nuk do të munden ta thyejnë forcën e shtetit dhe ligjit, nuk do të munden ta përkulin kurajën dhe trimërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, nuk do të munden t`i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë” thekson Nishani.
 

Gjithashtu, kreu i shtetit i ka bërë thirrje të gjithë vajzave dhe djemve që shërbejnë në forcat e policisë të qëndrojnë akoma më fort në betejën e tyre me krimin pasi sipas tij në krah të tyre është i gjithë populli.
 

Presidenti Nishani kërkon nga të gjitha strukturat shtetërore që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët e saj.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›