E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e kryekomisarit Tahiraj, prokuroria: Burg përjetë të ‘fortit të Shijakut’

TIRANË- Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Ilir Xhakjas, i njohur si i 'forti i Shijakut' dhe i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit, Adem Tahiraj, prokuroria ka kërkuar për të burgim të përjetshëm. 

Në një pretencë të zgjeruar me detaje të hollësishme, prokurori i çështjes Eugen Beci i kërkoi gjykatës të cilësojë Xhakjen si fajtor dhe ta dënojë atë me dënimin kapital, për krimin e rëndë të kryer ndaj një komisari të lartë të policisë. Sipas prokurorisë, krimi kishte si bazë një motiv banal, kjo pasi Tahiraj urdhëroi kontrollin e makinës dhe më pas shoqërimin në komisariat të nipit të Xhakjas, Ledion Kasmit. Gjithçka më pas degjeneroi në përdorimin e armëve dhe ekzekutimin e komisarit. Sipas prokurorit Beci, Ilir Xhakja është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi ka kryer dhe krime të tjera.

Sipas prokurorit të çështjes, Xhakja e ka kryer krimin me gjakftohtësi, ndërsa ishte në dijeni për postin e lartë drejtues në polici, të kryekomisarit Tahiraj. Këtë gjë e përforcon edhe fakti që komisari mbante uniformë veshur si edhe makinat e policisë që e shoqëronin ditën e krimit.

Pritet që vendimi përfundimtar të merret nga Gjykata e Krimeve të Rënda në seancën e radhës më 24 korrik, ndërsa pritet të dëshmojnë edhe shumë dëshmitarë të tjerë.

lir Xhakja akuzohet se qëlloi për vdekje shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili kishte urdhëruar të bllokohej makina e nipit, Ledio Krasnaj. Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 shtator, në fshatin Katund Sukth, gjatë një kontrolli rutinë të automjetit të nipit të tij. Fillimisht, "i forti i Shijakut" është konfliktuar me Tahirajn dhe më pas e ka qëlluar me pesë plumba pistolete, duke e lënë të vdekur në vend. Arrestimi i Xhakjes u bë pak orë më vonë, në fshatin Shën Vlash.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›