E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë në Lezhë, vijojnë kërkimet për kapjen e autorit

Të afërm dhe banorë të Blinishtit u kanë dhënë lamtumirën e fundit tre pjestarëve të familjes Shtjefni të cilët u vranë tre ditë më parë nga komshiu i tyre Kastriot Zhuba. Megjithëse në momente pikëllimi, familja Shtjefni ka ftuar fisin Zhuba që të marrë pjesë në ceremonitë mortore, ndërsa të vetmit që tashmë janë ngujuar janë vetëm babai dhe familja e xhaxhait të autorit. Ky gjest mjaft njerëzor ka marrë mbështetjen e të gjithë të afërmve dhe fisit Shtjefni, ndërsa për banorët dhe ata që kanë qënë të pranishëm në lamtumirën e fundit për bashkëshortët Rrok e Mire Shtjefni dhe djalin e tyre Fatjonin kjo vendimarrje e tyre tregon maturinë dhe vlerën e kësaj familjeje.

Trupat e pajetë të familjes Shtjefni janë dërguar në kishën e Blinishtit rreth orës 10:00, ndërsa në meshën homazh kanë marrë pjesë 6 priftërinj, e cila konsiderohet si diçka tepër e veçantë. Gjatë celebrimit të meshës, priftërinjtë kanë sjellë në vëmendje vendimin e kishës për të çkishëruar çdo person që vret për gjakëmarrje, duke kërkuar që besimtarët të kenë më shumë besim tek drejtësia dhe ndëshkimi i zotit. Për herë të parë përfaqësuesit e kishës kanë mallkuar një person në prezencën e banorëve, dhe ky mallkim është lëshuar ndaj Kastriot Zhubës, autorit të vrasjes së trefishtë. Asnjë reagim apo deklaratë e fisit Shtjefni nuk është bërë në lidhje me familjen Zhuba, duke u përqëndruar totalisht vetëm në ceremonitë mortore. Në lidhje me ftesën që fisi Shtjefni u ka bërë një pjese të fisit Zhuba për të marrë pjesë në varrimin e tre të vrarëve nga Kastriot Zhuba, banorët kërkojnë që ligji të jetë më i rreptë ndaj të tillë personave, pasi shmang konfliktet dhe sigurisht gjakëmarrjen.

Ndërsa në Blinisht zhvllohej ceremonia mortore, policia ka vijuar me aksionet e saj dhe kontrollet për kapjen e 38-vjeçarit Kastriot Zhuba, i cili dyshohet se strehohet në Shkodër tek disa të njohurit e tij. Për këtë qëllim është kërkuar bashkëpunimi me policinë e qytetit verior, për kontrolle në banesat e dyshuara se mund të strehohet Zhuba.

Për ngjarjen ku mbetën të vrarë tre pjesëtarët e familjes Shtjefni, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje edhe persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen, por ende nuk është bërë e ditur asnjë detaj i tyre. Paralelisht me hetimet në lidhje me vrasjen, një tjetër hetim ka nisur edhe për konfliktin që Zhuba ka patur me një tjetër person, i cili është edhe krushk i tyre.

Fakti që gjatë largimit të Zhubës menjëherë pas vrasjes ka qëlluar edhe në drejtim të shtëpisë Sallaku, e ka detyruar ekspertët e policisë së Lezhës të marrin në pyetje disa pjestarë të familjes Sallaku për të dhënë më shumë detaje rreth këtij konflikti, për të cilin dyshohet se është kthyer tre ditë më parë edhe 38 vjeçari Kastriot Zhuba. Për kapjen e autorit që kreu vrasjen e tre pjesarëve të familjes Shtjefni, policia e Lezhës ka akorduar një shpërblim prej 1 milion lekësh të reja për cilindo që afron informacion për vendndodhjen e autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›