E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vrasja në Dhërmi, Rrumbullaku: Procedura të përshpejtuara ekstradimi për autorin

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, tha sot se po punohet intensivisht me autoritetet greke për të kryer një procedurë të shpejtë ekstradimit të Gerald Shehut, autor i dyshuar i vrasjes së ndodhur të enjten në një hotel në Dhërmi.

Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Rrumbullaku nënvizoi se ka patur një koordinim mjaft të mirë me policinë e Greqisë.

“Falënderoj strukturat e policisë për zbardhjen e vrasjes. Kemi pasur një koordinim shumë të mirë me partnerët grekë për shkëmbim e informacionit. U bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit. Jemi në procedurat e ekstradimit të shpejtë të personit të dyshuar. Kemi dokumentuar me prova ligjore dhe shkencore, dhe po shkojmë drejt finalizimit dhe zbardhjes së motivit të këtij krimi të rëndë”, tha Rrumbullaku.

Një ditë më parë, Policia njoftoi se në orën 01:00 të ditës së enjte, Gerald Rrumbullaku, 43 vjeç ka vrarë me armë zjarri recepsionistin e një hoteli në Dhërmi, Eraldo Nevruzi. Më pas, së bashku me dy punonjës të hotelit, Daniel Qose, 33 vjeç dhe David Larti, 30 vjeç fshehën trupin e të ndjerit. Policia identifikoi menjëherë autorin e dyshuar, i cili u arrestua pasditen e të enjtes në aeroportin e Korfuzit, ku po tentonte të udhëtonte drejt Britanisë së Madhe.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm, Policia njoftoi arrestimin e Daniel Qoses dhe David Laertit, për akuzën “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim. /a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›