E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vrasja në Dhërmi, shkon në 3 numri i të arrestuarve

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Policia e Vlorës njoftoi se ka arrestuar dhe 2 shtetas të tjerë për vrasjen e recepsionistit në një hotel në Dhërmi, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Policia njofton se dy të ndaluarit, dyshohet se kanë ndihmuar autorin e vrasjes Gerald Shehu për të fshehur trupin e viktimës Eraldo Nevruzit

“Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi Gerald Shehu, pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin Eraldo Nevruzit, është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit Daniel Qose, 33 vjeç dhe David Larti, 30 vjeç, të dy banues në Korçë. Nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim”, bën të ditur Policia.

“Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.  Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin Gerald Shehu, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit Daniel Qose dhe David Larti, për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim”, përfundon njoftimi i Policisë.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›