Vrasja në Pogradec, Rama: Asnjë deklaratë kontradiktore, rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Pogradec, ku humbi jetën shtetasi Egli Proga.
Rama u shpreh në një postim në platformën X se, “ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit”.
Rama theksoi se, “ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dezinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik”.
Prandaj, nënvizoi kreu i qeverisë, “nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit”.
“Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media”, u shpreh Rama në reagim.
/a.f/